Faleminderit, Maks. Shoqëria shqiptare ka një borxh shumë të madh ndaj teje - Bota Sot
Faleminderit, Maks. Shoqëria shqiptare ka një borxh shumë të madh ndaj teje

Teatri

Faleminderit, Maks. Shoqëria shqiptare ka një borxh shumë të madh ndaj teje

Më: 7 maj 2020 Në ora: 20:43
Maks Velo

“Agjitacion dhe propagandë kundër shtetit” ishte dënimi që i mori 10 vjet jetë Maks Velos, gjatë periudhës më të egër që ka parë Shqipëria. Arkitekti dhe piktori, Maks Velo sot u nda nga jeta për të lënë një vend bosh të pazëvendësueshëm në sferën publike. Një zë i fortë në mbrojtje të trashëgimisë dhe arkitekturës shqiptare por jo vetëm, një artist me botë dhe zemër të madhe.

Me kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës për shoqërinë dhe Shqipërinë. Autor i një sërë projektesh të ndryshme të rëndësishme të projektuara prej tij ose në bashkëpunim janë: Parku i Madh i Liqenit, Tiranë, shkolla “Emin Duraku”, objekti i banimit pranë Hotel Tiranës, godina e ish-ATSH, ish-hotel “Arbana”, Tiranë, kinemaja e Laprakës, kinema “Pionieri”, Tiranë, “Uzina Mekanike”, Peshkopi, etj.

Maks Velo ka qenë pjesë e qëndresës sonë dhe një nga mbështetësit më të fortë të kauzës së teatrit në sferën publike. Në sheshin e teatrit gjeti gjithmonë një mikrofon të hapur duke ndarë me ne eksperiencën profesionale dhe fjalën e tij në mbrojtje të Teatrit, të cilin e konsideronte një monument historik dhe kulturor. Një mik i qytetit, që do të na mungojë të gjithëve. Qytetari dhe arkitekti Maks Velo, ka nderimin dhe bekimet tona.

Faleminderit, Maks. Shoqëria shqiptare ka një borxh shumë të madh ndaj teje.

/Aleanca per Mbrojtjen e Teatrit/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat