Me pezullimin e ish-presidentit Trump, Facebook u dërgon një mesazh udhëheqësve botërorë

Teknologji

Me pezullimin e ish-presidentit Trump, Facebook u dërgon një mesazh udhëheqësve botërorë

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 20:28
Facebook

Vendimi i fundit i Facebook-ut për të ndaluar ish-presidentin Donald Trump të përdorë për dy vjet platformat e kompanisë, u dërgoi një mesazh udhëheqësve botërorë se Facebook-u po rrit rolin e tij si kontrollues i shërbimeve që ofron.

Me ndalimin e Donald Trumpit për të përdorur Facebook-u për dy vjet, ekspertët thonë se kompania e mediave sociale po u dërgon një mesazh udhëheqësve botërorë dhe figurave publike se Facebook-u nuk do t'u japë më trajtim preferencial, kur fjalimet e tyre thyejnë rregullat e kompanisë.

"Për udhëheqësit e tjerë botërorë kjo do të thotë se ata nuk do të trajtohen ndryshe vetëm për shkak të statusit të tyre si udhëheqës botërorë", thotë David Green, drejtor në fondacionin Frontier Electronic për liritë civile.

Së bashku me pezullimin e Trumpit, Facebook-u shpalosi një rregullore të re duke thënë se do të heqë postimet e çdo udhëheqësi botëror që mund të çojnë në dëmtime ose shkelje të standardeve të tij.

Më parë, Facebook-u lejonte përmbajtje të postuara nga figura të larta, duke argumentuar se ekzistonte një interes publik, edhe kur ato shkelnin politikat e saj.

Megjithatë, disa kritikë thonë se udhëzimet janë ende shumë të paqarta, dhe se pezullimi dy vjeçar për Trumpin është shumë i lehtë dhe dërgon mesazhin se dera e Facebook-ut është gjithmonë e hapur, madje edhe për shkelësit e ligjit.

“Fakti që ata po e lënë masën si pezullim do të thotë që edhe udhëheqësit e tjerë botërorë janë në pauzë, disi. Kjo do të thotë se ndoshta, ata mund të kenë një mundësi për të vazhduar", thotë Shireen Mitchell, anëtare e bordit vëzhgues të Facebook-ut.

Facebook thotë se figurat publike që do të kthehen përsëri, do të përballen me ndëshkime më të larta për shkelje të përsëritura, duke filluar nga një muaj në dy vjet.

Vetëm rastet që konsiderohen "ekstreme" do të rezultojnë në pezullim të përhershëm.

“Nuk ka rëndësi se cili je. Mund të jesh papa, mbretëresha e Anglisë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, nuk mund të përdorësh shërbimet tona për të ndihmuar, përkrahur, nxitur ose lavdëruar aktet e dhunës. Dhe shpresoj që shumica e njerëzve mendojnë se kjo është e arsyeshme", thotë Nick Clegg, zëvendës president i Facebook-ut për marrëdhëniet globale.

Ndërsa kompania ka ngritur një bord të pavarur mbikëqyrës për të rishikuar vendimet e saj për kontrollin e përmbajtjeve të postimeve, disa ekspertë pretendojnë se bordi i mbikëqyrjes është në vetvete një devijim.

"Kam përshtypjen se ata po e përdorin bordin si një mënyrë për t'u shmangur nga çështjet më serioze rreth asaj që po bëjnë algoritmet e tyre për të përhapur lloje të caktuara të informacionit", thotë Faiza Patel me qendrën Brennan.

Gjatë vitit të kaluar, drejtuesit e Facebook-ut kanë bërë thirrje që qeveria të luajë një rol më të madh në përcaktimin e rregullave të internetit.

“Demokracia amerikane nuk i përket kompanive të teknologjisë. Ajo i përket popullit amerikan. Dhe ata që duhet të vendosin rregullat për mënyrën sesi vepron demokracia amerikane dhe ku duhet të vendosen vijat kur është një fjalim i pranueshëm dhe kur jo, nuk duhet të jenë kompanitë private", thotë Nick Clegg.

Ndërsa Facebook-u do të shikojë në mënyrë më kritike fjalimet e udhëheqësve botërorë, ajo që është e sigurt është se vëzhgimi që po i bëhet vetë Facebook-ut, nuk do të përfundojë shpejt./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat