‘Themeluesi’ i mistershëm i Bitcoin mohon falsifikimin e dokumenteve për të provuar se është vërtet ‘Nakamoto’

Teknologji

‘Themeluesi’ i mistershëm i Bitcoin mohon falsifikimin e dokumenteve për të provuar se është vërtet ‘Nakamoto’

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 22:07
Dr Craig Wright

Një ekspert kompjuterësh që pretendon se është themeluesi mistershëm i monedhës dixhitale Bitcoin ka mohuar së fundmi falsifikimin e dokumenteve për të provuar deklaratat e tij.

53 vjeçari Dr Craig Wright, erdhi sot në gjykatën e Londrës për ditën e dytë të gjyqit bombastik të zgjidhjes së origjinës së kriptovalutës, shkruan rrjeti britanik TheSun.

Britaniku i lindur në Australi thotë se ka krijuar Bitcoin në vitin 2008, nën emrin e rremë të themeluesit ‘Satoshi Nakamoto’.

Por zyrtarët e patentës së kriptovalutave Crypto Open Patent Alliance (Copa) besojnë ndryshe dhe kanë ngritur padi ndaj tij në 2021, duke thënë se ai nuk është në fakt pseudonimi.

Zyrtarët e Copa insistojnë se Wright ka falsifikuar vazhdimisht dokumente për të mbështetur pretendimet e tij dhe se ka ndryshuar versionin kur janë zbuluar mospërputhjet.

Ndërsa Wright mohon akuzat dhe fajëson të tjerë si ish-bashkëpunëtorë e avokatë për falsifikimet.

Avokati i palës paditëse Hough pyeti Wright: “A keni falsifikuar ndonjëherë dokumente në dobi të pretendimit se jeni në fakt Satoshi Nakamoto?

Wright u përgjigj “jo”.

Bota e kriptovalutave gjithashtu beson se Wright nuk është Nakamoto i vërtetë, emri që ka qenë në fakt duke e zhvilluar Bitcoin deri në dhjetor 2010, teksa Wright pretendon se e ka bërë deri në 2016.

Cilido që të jetë krijuesi i Bitcoin, ai ka tashmë një pasuri prej rreth 40 miliardë dollarë.

Kjo monedhë është një formë valute dixhitale që krijohet me “gërmim dixhital” me anë llogaritjesh komplekse që kryen me forcë kompjuterike.

Pagesat e saj bëhen në formë alternative ose si investim spekulativ, por rrjedhimisht eliminon nevojën për autoritete qendrore si bankat apo qeveritë, për lëshimin dhe qarkullimin e tij.

Spekulimet për identitetin e vërtetë të Nakamoto vijojnë prej vitesh dhe përfshinin ekspertë kriptografie në Evropë e SHBA.

Në 2015, revista amerikane Wired shkruante se Wright “ose ka shpikur Bitcoin ose është një mashtrues i shkëlqyeshëm që na bën të besojmë se e ka bërë”.

Jonathan Hough KC, përfaqësues i autoritetit Copa, tha dje në gjykatë se pretendimi i Wright është “një gënjeshter e përpunuar dhe e mbështetur nga falsifikime në shkallë masive”.

Hough tha: “Bazuar në pretendimin e pandershëm se ai është Satoshi, ai kërkon të përfitojë miliarda dollarë por në fakt ka depozituar dokumente që tregojnë shenja ndërhyrjeje”.

Por të tjerë komentonin se Wright ka një sjellje “tepër serioze” për pasojat që dikush mund të ketë me pretendime të tilla.

Më herët një zëdhënës i Wright e përshkruante gjyqin si “luftë e vërtetë” për atë që do të caktojë rregullat mbi sistemin ‘Bitcoin blockchain’ – që janë të dhënat dixhitale të cilat ndjekin dhe vërtetojnë pronësinë e valutës dixhitale.

Ai tha për rrjetin The Guardian: “Një betejë e kohëve moderne si kjo është e ngjashme me atë të teknologjisë Blu-ray kundër DVD, apo si të ishte Betamax kundër kasetave VHS.”

Aktualisht tregu i Bitcoin llogaritet në një vlerë prej 700 miliardë dollarë.

Wright ofronte muajin që shkoi të mbyllte çështjen jashtë gjykatës, por zyrtarët e Copa refuzuan, sipas tyre “me keqardhje”.

Grupi shtonte se një marrëveshje e tillë “do të lejonte që ai të padiste përsëri njerëzit”, duke iu referuar të drejtës së Wright për padi shpifjeje ndaj atyre që kishin mohuar se është themeluesi i vërtetë i Bitcoin ose ndaj atyre që e kishin quajtur ‘mashtrues’. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat