Po vijnë semaforët me një ngjyrë tjetër, me ndihmën e inteligjencës artificiale

Teknologji

Po vijnë semaforët me një ngjyrë tjetër, me ndihmën e inteligjencës artificiale

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 23:42
Foto ilustrim

Inteligjenca artificiale mund të sjellë së shpejti një epokë të re të sinjalizimit të trafikut! Ekspertët nga Universiteti i Karolinës së Veriut prezantuan një sistem inovativ të sinjalizimit të semaforëve, që përdor inteligjencën artificiale për të optimizuar qarkullimin e automjeteve në kryqëzimet në qytete.

Një sistem i avancuar i sinjalizimit të semaforëve jo vetëm që do të reduktonte bllokimet në trafikun e qytetit, por gjithashtu do t’u siguronte drejtuesve të mjeteve kursime të konsiderueshme në para dhe kohë!

Ideja është që të integrohet e ashtuquajtura drita e bardhë, para së gjithash, në sinjalizimin për rregullimin autonom të trafikut të automjeteve.

Drita e bardhë do të sinkronizohej me sistemet kompjuterike të makinës vetë-drejtuese, duke u dhënë atyre udhëzime të qarta në kryqëzime.

Studiuesit pohojnë se drita e bardhë jo vetëm që do të përmirësojë rrjedhën e trafikut, por edhe do të reduktojë konsumin e energjisë, veçanërisht në situatat kur automjetet autonome dominojnë trafikun.

Testet kanë treguar se një numër më i madh i automjeteve autonome në rrugë, redukton ndjeshëm bllokimet dhe kostot e karburantit.

Sistemi i ri përfshin gjithashtu komunikimin midis automjeteve autonome dhe një sistemi kompjuterik qendror, nëpërmjet semaforëve inteligjentë.

Kjo do të mundësonte koordinimin e trafikut në mënyrën më efikase, gjë që do të përmirësonte rrjedhshmërinë e përgjithshme të trafikut rrugor.

Sistemi është gjithashtu fleksibël. Kjo do të thotë se sinjalistika do të kthehej në një sistem konvencional me tre ngjyra, kur më shumë njerëz janë në rrugë duke siguruar siguri të vazhdueshme dhe pajtueshmëri me stile të ndryshme drejtimi.

“Drita e katërt do të përdoret për rregullimin e trafikut për automjetet autonome vetë-drejtuese dhe do të sinkronizohet me sistemet e tyre kompjuterike”, tha udhëheqësi i hulumtimit Ali Hajbabaie.

Studiuesit testuan konceptin e dritës së bardhë në simulatorë kompleksë të mikro-trafikut, që u krijuan për të parashikuar situata të ndryshme që mund të lindnin në rrugë dhe se si veturat pa shofer do të reagonin ndaj tyre.

Studiuesit tashmë po planifikojnë pilotprojekte për të testuar funksionalitetin e këtij sistemi në kushte të botës reale, megjithëse zbatimi mund të jetë sfidues.

Përpjekjet përfaqësojnë një hap drejt një të ardhmeje më të zgjuar dhe më efikase, por edhe më miqësore me mjedisin e trafikut rrugor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat