Rafael Nadal “godet” serbin Novak Djokovic - Bota Sot
Rafael Nadal “godet” serbin Novak Djokovic

Tenis

Rafael Nadal “godet” serbin Novak Djokovic

Më: 8 maj 2020 Në ora: 19:51
Rafael Nadal dhe

Rafael Nadal thumbon rivalin e tij të përjetshëm Novak Djokovic. Tenisti i famshëm spanjoll këmbëngul në bindjen e tij se numri 1 i botës duhet patjetër t’u nënshtrohet rregullave njësoj si gjithë të tjerët, duke saktësuar se tenisti nga Serbia duhet të bëjë vaksinën e virusit COVID-19 kur të gjendet zgjidhja për pandeminë që ka shkaktuar koronavirusi, atëherë kur gjërat të rikthehen në normalitet dhe takimet në ATP Tour të vijojnë sipas kalendarit, gjithmonë nëse Nole është i interesuar për të vazhduar këtë sport.

Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “La Voz de Galicia”, i pyetur nëse ishte apo jo në favor të mundësisë për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin, Rafa qartësoi se sipas tij ai nuk është askushi për të influencuar në një aspekt të tillë. 33-vjeçari nga Majorka shpjegoi se çdo njeri është i lirë për të bërë atë që dëshiron, por sipas tij nëse dikush është pjesë e ATP Tour atëherë do të duhet që të respektojë rregullat e lojës dhe t’i bindet vullnetit të drejtuesve të Federatës.

Nadali shkoi akoma më larg duke theksuar se nëse drejtuesit e Federatës ATP e bëjnë të domosdoshme kryerjen e vaksinës, për të patur mundësinë për të udhëtuar, atëherë është e kuptueshme për të gjithë arsyeja, pasi qëllimi është i qartë, për të ruajtur dhe për të mbrojtur jetën e secilit nga tenistët pjesëmarrës. Tenisti iberik saktësoi se sipas tij Novak Djokoviçi duhet patjetër të vaksinohet, nëse mendon akoma për t’u matur dhe për të luajtur me më të mirët. Rafa qartësoi se ai do të jetë dakord me çfarëdo lloj zgjidhjeje që do të merret nga drejtuesit dhe fituesi i 19 trofeve Slam në karrierë shpjegoi se nëse dy Federatat kryesore ATP dhe ITF, që është Federata Ndërkombëtare e Tenisit, do të vënë si kusht kryesor vaksinimin e tenistëve për të luajtur atëherë të gjithë sportistët duhet patjetër t’i nënshtrohen këtij rregulli, pa kundërshtuar.

Muajin e kaluar Novak Djokoviç befasoi jo pak, teksa deklaroi se nuk do të ishte aspak dakord për të luajtur, nëse drejtuesit e këtij sporti do ta bënin të detyrueshëm vaksinimin për çdo sportist, kuptohet për sigurinë dhe mirëqenien e vetë lojtarëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Nole asokohe i shtangu të gjithë duke thënë se nuk kishte aspak ndërmend t’i bindej vullnetit të dikujt, që do të vinte si kusht vaksinimin për të patur mundësinë për të udhëtuar dhe për të qenë pjesë e aktivitetit elitar të meshkujve.

Diçka më vonë 32-vjeçari nga Serbia shpjegoi se mbetet i hapur në lidhje me një temë të tillë dhe do të vazhdojë të ndjekë me kujdes zhvillimet, pasi bëhet fjalë për diçka shumë të rëndësishme, që do t’i prekë të gjithë tenistët. Madje, gjatë muajit prill numri 1 i botës u duk tepër i vendosur, kur deklaroi me forcë se do të preferonte më mirë të hiqte dorë fare nga ky sport, se sa t’i nënshtrohej vullnetit të dikujt që do ta shtrëngonte me vaksinimin për infeksionin e virusit COVID-19, si kusht për të vazhduar këtë sport.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat