Murray jep shenja dorëzimi

Tenis

Murray jep shenja dorëzimi

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 12:53
Andy Murray

Andy Murray nuk mundi të shkonte përtej raundit të dytë në Wimbledon teksa u mposht nga Stefanos Tsitsipas në pesë sete me shifrat 3-2 (7-6, 6-7, 4-6,7-6, 6-4).

Ndeshja që u nda në dy ditë për shkak të orarit, përfundoi me hidhërim për 36-vjeçarin që në fund u shpreh se të tilla rezultate nuk e ndihmojnë për të gjetur motivimin e duhur dhe për të vazhduar tenisin.

Megjithatë, Murray theksoi se në këtë moment nuk po mendon ende për tërheqje, ndërsa shtoi se një humbje e tillë kërkon kohë që të harrohet.

“Motivimi është shumë i rëndësishëm në sport dhe të tilla rezultate nuk ndihmojnë.

Nuk është mirë që të largohesh shpejt nga kompeticione të tilla, kështu ndodhi edhe në vitin e shkuar. Megjithatë, nuk mendoj se do të ndaloj në këtë moment, edhe pse do të më duhet kohë që ta kalojë këtë humbje.

A do të rikthehem në Wimbledon vitin tjetër? Këtë nuk e di dhe nuk mund ta them në këtë moment”, u shpreh Murray. Pas eliminimit të Murrayt, britanikët në kompeticionin e shtëpisë tashmë përfaqësohen vetëm nga tenistja Katie Boulter teksa më herët në tenisin e meshkujve u eliminuan edhe Cameron Norrie dhe Liam Broady.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat