Kryetarja e Tetovës Arifi: Numri i madh i partive politike shqiptare krijon probleme

Tetova

Kryetarja e Tetovës Arifi: Numri i madh i partive politike shqiptare krijon probleme

Më: 1 janar 2021 Në ora: 15:20
Teuta Arifi

Viti që do lemë pas ka qenë një vit me ulje e ngritje për Maqedoninë e Veriut. Vendi fqinj u bë pjesë e Nato-s, por mori veto nga Bullgaria për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Për të folur mbi këto ngjarje, pjesë e emisionit Balkan Talks ishte një prej figurave qendrore të jetës politike dhe publike atje, Teuta Arifi, e cila drejton bashkinë e Tetovës.

“Mund ta përkufizoj si njërin nga vitet më të vështira edhe personal në kuptimin e punës. Një vit i cili kaloi në shenjën e pandemisë dhe shumë i vështirë. Shpresoj që viti i ardhshëm të japë rimëkëmbje si në kuptimin njerëzor, por edhe në kuptimet ekonomike dhe jetësore të vendit,” – rrëfeu zonja Arifi.

Në korrik u organizuan dhe zgjedhjet parlamentare dhe detyra e zonjës Arifi ishte të menaxhonte partinë ku është pjesë në rajonin e dytë më të madh të Maqedonisë së Veriut dhe ku ja doli me sukses.

“Unë kam qenë edhe udhëheqëse e fushatës të “Bashkimit Demokratik për Integrim” në Tetovë, ku kemi kaluar me një sukses shumë solid”,” – tregoi kryetarja Arifi.

Bashkimi Demokratik për Integrim shënoi një rënie në zgjedhjet të parafundit, por në zgjedhjet e korrikut pati një rritje të ndjeshme. Zonja Arifi tregoi se pse ndodhi kjo.

“Mendoj se zgjedhjet e vitit 2016 ishte një çmim që si parti politike e paguam sa i përket pozicionimit me VMRO-DPMN-e e cila shihej si një parti jo progresive dhe që mbante peng rrugën drejt Evropës së vendit,” – tha për Balkan Talks zonja Arifi.

Në Maqedoninë e Veriut ka një numër të madh të partive politike, që drejtohen nga shqiptarë. Arifi theksoi se nuk duhen kaq shumë parti politike.

“Partitë politike shqiptare në bazën e krijimit, formimit dhe funksionimin kanë çështjet shqiptare. Numri i madh i tyre më shumë se dy apo tre krijon më shumë probleme dhe pamundëson pozicionimin më të pafuqishëm për çështje jo vetëm etnike, por edhe të orientimeve politike të vendit”,” – tha ajo.

Së fundmi në parlament u miratua buxheti për vitin 2021, i cili nuk kishte një instrument për ndarjen e balancuar të tij, por qeveria e ka gjetur një zgjidhje për këtë.

“Domethënë në mungesë të një instrumenti zyrtar të ndarjes së balancuar të buxhetit, instrumenti

tjetër është mbështetja e komunave dhe rajoneve me projektet e tyre,” – përfundoi Arifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat