UT-ja vijon me prezantimin e ofertës akademike para maturantëve

Tetova

UT-ja vijon me prezantimin e ofertës akademike para maturantëve

Më: 8 prill 2021 Në ora: 19:18
Universiteti i Tetovës

Universiteti i Tetovës vijon prezantimin e ofertës akademike 2021/2022 para maturantëve të vendit tonë. Ditë më parë Fakulteti Filologjik e bëri prezantimin “onlajn” të ofertës akademike para maturantëve të shkollave të mesme të RMV-së.

Gjatë këtij takimi, u theksua se tradita e shkëlqyer e Fakultetit Filologjik, me mësimdhënës cilësorë të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe mundësitë e shumta të punësimit për të diplomuarit tanë, janë një garanci për zgjedhjen që do të bëjnë maturantët. Krahas studimeve cilësore, maturantët mund të fitojnë edhe bursa të universitetit, mund të jenë pjesë e programeve të shkëmbimeve (Erasmus +), të përfshihen në aktivitete të ndryshme brenda fakultetit etj.

Po ashtu maturantët u njoftuan se në Fakultetin Filologjik mund t’i studiojnë këto programe të studimit si: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe; Gjuhë dhe Letërsi Maqedonase; Gjuhë dhe Letërsi Angleze; Gjuhë dhe Letërsi Gjermane; Gjuhë dhe Letërsi Frënge si dhe Gjuhë dhe Letërsi Italiane.

Ndërsa më 6 prill 2021 në hapësirat e Gjimnazit “Naser Ademi” në Negotinë, para maturantëve të kësaj shkolle, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës promovoi ofertën akademike të Fakultetit Filozofik. Me këtë rast maturantët u njoftuan se Fakulteti Filozofik ofron programe studimi për: Psikologji; Histori; Filozofi; Sociologji dhe Filologji Orientale.

Më 7 prill 2021 në shkollën e mesme komunale – Gjimnazi dhe shkollën e mesme komunale të mjekësisë në Gostivar u bë prezantimi i ofertës akademike para maturantëve të këtyre shkollave nga profesorët e Fakultetit Pedagogjik.

Nga prezantimet e bëra deri më tani, nëpër shumë shkolla të mesme në vendin tonë, është vërejtur interesim i madh i maturantëve, të cilët dëshirojnë që studimet e tyre t’i ndjekin në Universitetin e Tetovës për të ndërtuar profilin dhe karrierën e tyre profesionale dhe akademike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat