484 vjet nga themelimi i Harabati Baba Teqesë në Tetovë

Tetova

484 vjet nga themelimi i Harabati Baba Teqesë në Tetovë

Nga: Beqir Sina Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 14:56
484 vjet nga themelimi i Harabati Baba Teqesë në Tetovë

Me ngjarje të veçanta në Shkup e në Tetovë u shënua përvjetori i 484-të i themelimit të Teqesë historike Bektashiane të Tetovës. U zhvillua konferencë shkencore dhe u hap ekspozitë me fotografi e dokumente rreth trashëgimisë së Harabati Baba Teqesë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Ngjarja u transmetua LIVE në faqen e internetit të Kryegjyshatës si dhe në atë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Pas përmbylljes së transmetimit direkt, ambasadat përkatëse shpërndanë videon e konferencës.

Asani: “Teqeja Harabati Baba të mbrohet nga UNESCO”

Dede Mondi: “Teqe e Tetovës, ka qenë shkollë e edukim për klerikët e besimtarët, jo thjesht në filozofinë e tarikatit tonë, por në mënyrë të veçantë me përgjegjshmërinë e ndjeshmërinë e thellë njerëzore”

Dede Mondi: “Me parimet që kemi trashëguar nga të parët tanë, me të drejtën që na jepet nga ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, por edhe me ndihmën e pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë, ne besojmë se shumë shpejt Harabati Baba do të rikthehet në kohërat si kohërat e lavdishme të saj”

Përfaqësuesi diplomatik amerikan, Eric Meyer: “Liria fetare është element thelbësor për zhvillim të demokracive të hapura dhe të qëndrueshme, duke mundësuar njerëzit të japin kontribut të plotë për shoqërinë dhe kulturën”

Ambasadori Holandez, shkëlqesia e e tij Dirk Jan Kop: “(Në Maqedoni) thërrasim për mbrojtje të të drejtave të pakicave fetare, përfshirë bektashinjtë, dhe kërkojmë implementim të verdiktit të Gjykatës Evropiane për të Drejtave të Njeriut”

Të hënën e 7 shkurtit, në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut u përkujtua vepra monumentale e klerikut të lartë bektashian, Sersem Ali Dedeit, dhe të gjithë klerikëve kontributorë, ndër shekuj, që ngritën e mbajtën ndezur çirakun bektashian në Teqenë Harabati Baba të Tetovës. Në një ngjarje të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup, u hap ekspozitë fotografish e dokumentesh historike kushtuar trashëgimisë kulturore të teqesë Harabati Baba. Aktiviteti në Institutin e rëndësishëm për kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut u hap me një konferencë në të cilën, pos Kryegjyshit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dedebaba Edmond Brahimaj dhe Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Maqedonisë, Arben Sulejmani, u prezantuan edhe drejtori i ITSHKSH-SH, Prof. Dr. Skënder Asani, morën pjesë dhe folën edhe përfaqësues të lartë diplomatikë nga Ambasadat amerikane e evropiane në Shkup të Maqedonisë.

Në hapje të konferencës, drejtori i këtij instituti, Prof. Dr. Asani, përshëndeti Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimajn, duke e shquar mik të madh të shqiptarëve në Maqedoni dhe të vetë Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Ai tha se ky institut po punon me Komunitetin Bektashian që UNESCO-s t’i propozojnë që ta marrë në mbrojtje kompleksin e Teqesë Harabati Baba në Tetovë. Ndër të tjera drejtori Asani u shpreh: “Ëa e sotme me fotografi e dokumente kushtuar trashëgimisë kulturore të Harabati-t, është pjesë integrale e strategjisë sonë shkencore e hulumtuese për të fokusuar një vëmendje më të madhe ndaj bashkësive më të vogla kulturore e fetare, por që në thelb përbëjnë pasuri të madhe inspirimi shpirtëror... “Harabati” përbën një nocion të rëndësishëm në trashëgiminë sakrale bektashiane, pasiqë aty është momoruar kujtesa dhe lavdia e këtij komuniteti, përmes kontributit vetëmohues të dhjetëra klerikëve e patriotëve që ruajtën të paprekur kontinuitetin historik të këtij kompleksi kulturor e fetar. Për këtë arsye instituti ynë, me përkushtim ka kultivuar disa nga parimet themelore të diversitetit dhe kulturës së tolerancës, duke i shndërruar këto parime në postulate shkencore që ne arritëm t’i finalizojmë në formë të veprave apo projekteve të ndryshme. Për ne, nuk do të kishte kuptim vetëm angazhimi deklarativ nëse ai nuk do të mbështetej edhe në punën konkrete e praktike, siç edhe doli gjatë punës sonë disavjeçare në botimin e disa veprave kapitale kushtuar çështjeve që kristalizojnë kujtesën tonë historike, siç janë temat mbi shpëtimin e hebrenjve dhe përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar tendencat e mohimit të holokaustit...” Në fund të fjalës së tij, drejtori i ITSHKSH të Shkupit, Profesor Asani, shprehu mirënjohje të thellë kombëtare ndaj bektashinjve, që sipas tij “arriti të ruaj bërthamën e shqiptarizmës në fortunat më të errëta të historisë.”

I pari i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dedebaba Edmond Brahimaj, në fillim të fjalës së tij, i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë event për nder të 484 vjetorin e Teqesë Harabati, si një vlerë kulturore, njerëzore dhe shpirtërore e shqiptarëve edhe të besimeve të tjera. Në këtë ngjarje në Shkup, Kryegjyshi bekoi të gjithë kontributorët ndër shekuj të teqesë Harabati. Duke vëzhguar në histori, Dede Mondi u shqoi momente të rëndësishme të së kaluarës së lavdishme të Teqesë Harabati, por edhe dokumentoi rolin e saj në lëvizjen kombëtare. Ndër të tjera, Kryegjyshi tha: “Në një ditë të ftohtë shkurti, si sot, 484 vjet më parë, me frymën e adhurimit të Sersem Ali Dedeit, te ky vend i bekuar u vu guri i parë i themelit të teqesë së Haxhi Bektashi Veliut. Tarikati Bektashian, në mënyrë të veçant, pas reformës strukturore të ndarë nga Ballëm Sulltani, nisi të ‘pushtojë’ territore të gjëra shpirtërore në viset ballkanike, duke dashur që përmes vëllazërisë të përcillte e të dëshmonte madhështinë e filozofisë e përulësisë që zotëronte. E vërteta është se teqeja Harabati Baba qysh nga dita e gurthemelit të parë e deri më sot, është shkatërruar, djegur, ringritur, shtuar e zgjeruar disa herë përgjatë shekujve. Por misioni i saj nuk ndryshon kurrë. Ka qenë dhe mbetet misionare e urtësisë e dashurisë hyjnore dhe asaj njerëzore. Nga viti në vit, teqeja që na ka mbledhur sot, erdhi duke u rritur jo thjesht në kuptim të mureve e gurëve, por në kuptim shumëherë më domethënës, atë të diturisë të mbushur me ashkun për të Gjithëmëshirshmin, për vëllazërinë e Hakut e të barkut. Teqetë tona, nga Azia e largët e deri në bukurinë e përtej-oqeaneve, dëshmuan kurdoherë se e deshën me shpirt diturinë, e paguan kurdoherë shtrenjt çmimin e saj. Klerikët, myhibët e besimtarët bektashinj, kanë vijuar udhëtimin e tyre shpirtëror përgjatë shekujve duke pasur parasysh kurdoherë thëniet e Profetit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi Të: ‘Mësimi është i detyrueshëm për çdo besimtar, ndërsa mos të mësuarit është mosbindje’, dhe ‘Dituria është stoli e njeriut dhe mençuria është një xherdan i florinjtë’. Ky tempull i shenjtë adhurimi, kjo shtëpi e diturisë, Teqe e Tetovës, ka qenë shkollë e edukim për klerikët e besimtarët, jo thjesht në filozofinë e tarikatit tonë, por në mënyrë të veçantë me përgjegjshmërinë e ndjeshmërinë e thellë njerëzore, me tiparet e vyera të moralit bektashian, me idenë e lume se e duam njëri-tjetrin për hir të Zotit të vetëm. Të gjithë ata postmbajtës të kësaj teqeje, duke filluar nga Sersem Ali Dedei, Harabati Baba, Muharrem Baba... e deri te Baba Tahir Emini, me fjalët e tyre të urta e me sakrificate panumërta, me dijen dhe dashurinë e përjetshme për Zotin dhe kombin, edukuan breza të tërë besimtarësh duke shquar këtë vend, ndër më të mrekullueshmit dhe më të vizitueshmit në Ballkan përgjatë shekujve 17-të deri 19-të... Kur flasim për përvjetorë të tillë, sigurisht, nuk mund të harrojmë edhe një tipar pokaq madhështor të shfaqur ndër klerikë e besimtarë të kësaj teqeje, siç janë ndjenjat e fuqishme e fuqishme të besimit. Veçanërisht në shekullin 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të, Teqeja Harabati u shndërrua në vatër të fuqishme të lëvizjes autonomiste për krejt veriun e trojeve tona amtare. Ajo u bë qendra e lëvizjes së takimeve të fshehta e të hapura që burrat shqiptarë ndërmorrën në dobi të pavarësisë kombëtare. Vlen të kujtojmë gjithashtu se pikërisht në vitet 1900-1912, dervishë e baballarë bektashinj, këtu çelën klasat e para të mësimit të gjuhës shqipe, duke u përballur me masa respektive të Perandorisë Osmane; madje, në disa raste duke u dërguar syrgjynë në Azinë e largët. Së bashku me Teqetë Bektashiane në Shkup, Gostivar, Ohër, Kërçovë, Manastir..., kjo e Tetovës ishte një gur xhevahiri në xherdanin e tarikatit tonë... Ne nuk jemi larguar kurrë dhe nuk do të kemi ndërmend të largohemi në asnjë mënyrë nga misioni i lartë bektashian: Devocion ndaj Krijuesit në razi me të gjithë, dashuri për gjuhën, kombin, familjen e madhe shpirtërore. Ne, ndërkaq, nuk do të lejojmë që këtë vend të bekuar të Haxhi Bektash Veliut, të ketë veprimtari e praktika të shëmtuara dhe ekstremiste jo vetëm për moralin tonë por të padenja për krejt familjen e mrekullueshme myslimane. Me urtësinë e mësimeve, besimtarët e kesaj teqeje, me parimet që kemi trashëguar nga të parët tanë, me të drejtën që na jepet nga ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, por edhe me ndihmën e pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë, ne besojmë se shumë shpejt Harabati Baba do të rikthehet në kohërat si kohërat e lavdishme të saj, duke përcjellur paqen e përshpirtshme të këtyre viseve.”

Konferenca kushtuar përvjetorit të 484-të të themelimit të Teqesë Harabati Baba, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup, u përshëndet nga diplomatë të shumtë. Përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Shkup, Eric Meyer, foli me tone tejet miqësore duke shpalosur respektin veçanërisht ndaj Kryegjyshin, Dedebaba Edmond Brahimajn. I ngarkuari me punë diplomatike në Ambasadës e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Eric Meyer, tha: “Bashkohemi me ju duke mirënjohur trashëgiminë kulturore të Harabati Baba Teqe përfaqëson për Maqedoninë e Veriut dhe përtej. Dua të uroj liderët e Komunitetit Bektashian në 484 vjetorin e teqesë Harabati Baba. Anipse mbërrijta në Maqedoni vetëm disa muaj më parë, mezi pres që të vizitoj këtë faltore dhe kompleks rrëzë maleve të Sharrit. Respektimi i Lirive Fetare është një nga shumë mënyrat se si mund të respektojmë diversitetin dhe trashëgiminë, si pjesë përbërëse të kulturës amerikane. Duke kujtuar njerëzit që emigruan në SHBA 400 vjet më përpara, ishte premtimi për lirinë e besimit që i drejtoi ndaj vendit tonë. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar që të avansojmë dhe promovojmë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor, sikurse lirinë fetare, në Shtetet e Bashkuara dhe rrotull botës. Respektimi universal për lirinë e të besuarit, për të gjithë ne, është në bërthamën e synimeve të polikës së jashtme amerikane. Për mëse 20 vjet, Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së besimit, në rreth 200 shtete dhe territore rreth e rrotull botës. E dimë se liria fetare është e drejtë njerëzore, sikur është liria për të shprehur besimin fetar publikisht dhe privatisht. Liria fetare është element thelbësor për zhvillim të demokracive të hapura dhe të qëndrueshme, duke mundësuar njerëzit të japin kontribut të plotë për shoqërinë dhe kulturën...”

Në ngjarje mori fjalën numri një i Ambasadës Holandeze në Shkup. Shkëlqesia e tij, zotëriu Dirk Jan Kop uroi për përvjetorin e teqesë Harabati Baba e njëkohësisht u shpreh se ndjehet i nderuar që merr pjesë në këtë aktivitet. Përfaqësuesi diplomatik i Holandës, në fjalën e tij tha: “Sistemi kushtetues në Evropë është i bazuar në lirinë e fjalës, që përfshin lirinë e besimit. Pokështu, ajo bazohet në barazinë para ligjit, që do të thotë se çdokush trajtohet barabartë, përfshirë entitetet fetare... Në këtë vend, ne vazhdojmë të thërrasim për mbrojtje të të drejtave të minoriteteve fetare, përfshirë bektashinjtë, dhe kërkojmë implementim të verdiktit të Gjykatës Evropiane për të Drejtave të Njeriut, njejtë sikur kërkon Komisioni Evropian çdo vit në raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut. Çdo vit, Qeverisë i është kërkuar të zbatojë këtë verdikt. Por në nivel më të thellë, ju duhet të pyesni veten tuaj besoj, se çfarë bën Kushtetuta juaj për ju. Në vendin tim, kushtetuta nuk përmend ndonjë pakicë të caktuar..., të gjithë janë të barabartë para ligjit. Në vendin tim, kushtetuta nuk përmend ndonjë fe të caktuar, nëse do të do të ngritësh një komunitet fetar duhesh të ndjekësh disa veprime ligjore, që janë të ngjarshme me ngritjen e një shoqata, fondacioni a kompanie; nuk duhet të marrësh vendimin e një gjykatësi ose pajtimin e ndokujt, duhet të plotësosh vetëm disa kritere ligjore. ... E kuptoj konstekstin historik, por unë besoj se në këtë vend secili do të ishte më mirë poqë se do të të kishit një kushtetutë që përmend vetëm Lirinë dhe Barazinë (pa përfshirë përmendur specifikisht minorancat a mazhorancat etnike ose fetare).”

Ambasadori i Hungarisë në Maqedoninë e Veriut, Laszlo Istvan Dux, filloi fjalën duke nderuar, siç u shpreh Shenjtërinë e Tij Dedebaba Edmond Brahimajn dhe kolegët diplomatë. Ambasadori Dux tha se do të shpalosë komente personale. Tha se së shpejti do ta përmbyllë misionin e tij në Shkup, e do të zhvendoset në Budapest. Përshkroi se apartamenti ku do të vendoset atje është përballë tyrbes së Gyl Babait. Ambasadori potencoi se tyrbeja e Gyl Babait në Budapest jo vetëm që është ndër monumentet më të bukura atje, por njëkohësisht monumenti më verior bektashian në Evropë. Ambasadori hungarez përkujtoi ngjarjen që zuri vend në Tiranë me rastin e ngritjes së shtatores së Mbretëreshës Xheraldinë, ku mori pjesë edhe Kryegjyshi i Bektashinjve; tha se jeta e Mbretëreshës Xheraldinë duhet të jetë shembull për shumëkë, nga ardhja e saj në Shqipëri, jeta në ekzil dhe kthimi në Shqipëri duhet të jetë shembull për tolerancën, paqen e miqësinë.

“Këshilli Evropian është organizatë ndërkombëtare e themeluar për të promovuar dhe mbrojtur liritë njerëzore, demokracinë dhe sundimin e ligjit” – tha kryetarja e Këshillit Evropian në Shkup, shkëlqësia e saj, zonja Lejla Dervishagiq. Ajo uroi për përvjetorin e teqesë bektashiane Harabati Baba si dhe u shpreh e gatshme për të dhënë kontribut drejt arritjes së qëllimit të përbashkët.

Bashkorganizatori i kësaj ngjarjeje, Prof. Arben Sulejmani, ishte angazhuar që eventi të zhvillohej duke respektuar në përpikmëri rregullorja e masave anti-COVID-19. Organizatorët ishin të vetëdijshëm se përfaqësuesve diplomatikë do tu ju sigurohej hapësirë e lirë nga besimtarët dhe pjesëmarrësit vendorë si ata dhe nga Shqipëria e Kosova, që pritnin në radhë të grupuar jo më shumë se nga 20 persona.

Pasi mbaruan kumtesat dhe fjalët përshëndetëse, nga salla “Ëillson” e objektit të këtij instituti, grupi diplomatik u drejtua drejtë sallës ku ishin të rradhitura 21 stendat me historinë e 484 vjeçare të teqesë Harabati, që nga themelimi deri më tani!

Në këtë ekspozitë kushtuar trashëgimisë kulturore të teqesë Harabati Baba, me fotografi dhe dokumente kushtuar kësaj trashëgimie historike, kombëtare e fetare, të vlerave universale dhe rrolit të jashtëzakonshëm të bektashinjve për paqe dhe harmoni fetare ndërmjet popujve me kultura dhe identitete të ndryshme si dhe harmoni e solidaritet për etnitë e ndryshme që jetonin krahas njëri tjetrit.

Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut, Prof. Arben Sulejmani ftoi të marrë fjalën ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, shkëlqesinë e tij, Fatos Reka. Në fjalën e tij për ekspozitën kushtuar Teqesë së Tetovës, ambasadori shqiptar shqoi dëshmi të kontributit të Komunitetit Bektashian për mbarëvajtjen e zhvillimeve shoqërore në Maqedoninë e Veriut dhe më gjërë:“Dihet se Baba Mondi, si Kryegjysh Botëror, ka një kontribut të veçantë, ashtu si edhe gjithë paraardhësit e tij, për të evidentuar vlerat patriotike, kombëtare e kulturore të Komunitetit Bektashi. Përmes kësaj ekspozite, tregohen vlerat bektashiane të kombit shqiptar. Në emër të Ambasadës [shqiptare] ju uroj suksese e mbarësi dhe gjithë të mirat në rrugëtimin tuaj patriotik.”

Në hapje të ekspozitës me fotografi e dokumente rreth trashëgimisë së Harabati Baba Teqesë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, foli përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane në Maqedoninë e Veriut, zotëri Florian Traeger Steintjes, që u shpreh i kënaqur që mund të thotë disa fjalë në përvjetorin e teqesë Harabati Baba: “Gati 500 vjet më herët, ish-nëpunësi i Perandosë Otomane, Sersem Ali Dedei, erdhi në Tetovë – atëbotë një qytet i vogël – me qëllimin që të themelojë dhe të praktikojë udhën e Rendit Bektashian. Pas tij, nxënësi i tij, Harabati Baba bëri Teqenë në Tetovë, që ta përkujtojë jetën e Tij. Deri në ditët e sotme, Rendi Bektashian, është pjesë e popullit shqiptar, dhe njihet për tolerancën dhe çiltërsinë ndaj feve të tjera, çfarë mund të vërehet qartësisht në lutjet e tyre për të gjithë njerëzimin. Gjermania vë në theks lirisë fetare, dhe kjo gjë mund të duket qartësisht në “House of ONE” (shtëpia e përbashkët në një) – një ndërtesë që përbashkon një sinagogë, një kishë dhe një xhami nën një kulm. Nëse të gjithë e kuptojmë njëri-tjetrin mund të jetojmë në harmoni të plotë.”

Në ambientet e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përderisa pjesëmarrësit ndiqnin ekspozitën kushtuat Teqesë së Tetovës, Kryegjyshi i Bektashinjve këndoi nefese bektashiane. Këngë fetare bektashiane u kënduan edhe nga të ftuarit e veçantë, këngëtarë të njohur nga trevat e banuara me shqiptarë, nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Para të pranishmëve nga vendi, klerikëve, besimtarëve, diplomatëve si dhe përfaqësuesve institucionalë, mori fjalën Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë, Prof. Dr. Arben Sulejmani, shpjegoi në anglisht gjithë ekspozitën dhe historinë e teqesë Harabati Baba, shqoi rolin dhe rëndësinë historike e fetare të kësaj vatreje fetare e kombëtare ndër shekuj. Për rolin dhe rëndësinë e Teqesë Bektashiane të Tetovës, para të pranishmëve foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryegjyshtatës Botërore Bektashiane, Nuri Çuni, që shpalosi të dhëna të rralla nga historia e gjatë dhe e lavdishme e këtij tempulli dhe anëtarëve të saj ndër breza.

Një element që duhet theksuar është se në diskutimet e lira me përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të bektashinjve të Maqedonisë, miqtë ndërkombëtarë shprehën interesim të lartë për Komunitetin Bektashian dhe për Teqenë historike Harabati Baba në Tetovë. Pyetjeve të tyre ishte vështirë t’i jepej përgjigje: Si është e mundur që në këtë kohë, në Maqedoninë e Veriut të mos respektohet dhe zbatohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe rrjedhimisht Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut shteti t’i njohë të drejtën?!

Ngjarja e bashkorganizuar nga Instituti për Trashëgiminë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Komuniteti Bektashian i Maqedonisë së Veriut, pati jehonë të madhe dhe pjesëmarrje të gjerë. Në ngjarje folën:

Prof. Dr. Skënder Asani, drejtor i ITSHKSH

Prof. Dr. Arben Sulejmani, kryetar i Komunitetit Bektashian të RMV

Z. Eric Meyer, përfaqësues i Ambasadës së SHBA-së në Shkup

Z. Laszlo Istvan Dux, Ambasador i Hungarisë në Shkup

Z. Dirk Jan Kop, Ambasador i Holandës në Shkup

Z. Florian Traeger Steintjes, përfaqësues i Ambasadës së Gjermanisë në Shkup

Z. Fatos Reka, Ambasador i Shqipërisë në Shkup

Znj. Lejla Dervishagiq, Këshilli i Evropës në Shkup

Ndërkaq me pjesëmarrje nderuan:

Znj. Camille Iboss, përfaqësuese e Ambasadës së Francës në Shkup

Z. Volodymyr Verbytskyi, përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës në Shkup

Z. Eben Friedman, OSBE në Shkup

Znj. Adelina Marku, përfaqësuese e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RMV

Z. Muhamed Rakipi, Drejtoria e te drejtës nderkombetare dhe çështjeve konsullore në RMV

Prof.Dr. Agim Poshka, personalitete e përfaqësues nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane me seli në Tiranë, Gjyshata Bektashiane e Maqedonisë dhe Gjyshata Bektashiane e Kosovës.

Këngët bektashiane (nefeset) u realizuan nga “Zërat e bashkuar”: këngëtarët Ajdari - Bakija - Brahimaj (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni)

Përkujtimi i 484 vjetorit të themelimit të Teqesë Bektashiane të Tetovës Harabati Baba, vazhdoi në ambientet e Teqesë, ku u zhvilluan ritualet përkatëse fetare. Në Teqenë e Tetovës, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetari i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut, Arben Sulejmani, si dhe dervishi i Teqesë Harabari, dervish Abdylmutalib Beqiri, pritën vizitorë të shumtë që erdhën nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova, që të urojnë në këtë përvjetor të një nga teqeve më të rëndësishme të botës bektashiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat