Buxheti i Tetovës peshon gati 30 milionë euro

Tetova

Buxheti i Tetovës peshon gati 30 milionë euro

Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 18:45
Buxheti i Tetovës

Kryetari i këshillit të komunës së Tetovës, Besar Durmishi tha se 7.2 milionë euro janë për projekte kapitale infrastrukturore që do të fillojnë të realizohen vitin e ardhshëm. Ai tha se krahas kësaj pritet që të vazhdohet Bulevardi “Bllagoja Toska”, “Vidoe Smilevski Bato”, rruga Tetovë-Sellcë, udhëkryqi në fshatin Lisec për në Kodrën e Diellit e kështu me radhë.

Mbi 29 milionë euro është buxheti i komunës së Tetovës për vitin 2023. Kësisoj, me 16 vota pro dhe 15 të përmbajtur shumica në këshillin e komunës së Tetovës votoi buxhetin të cilin Lëvizjes BESA dhe VMRO-DPMNE-së, është buxhet për një infrastrukturë më të mirë. Kryetari i këshillit të komunës së Tetovës, Besar Durmishi tha se 7.2 milionë euro janë për projekte kapitale infrastrukturore që do të fillojnë të realizohen vitin e ardhshëm. Ai tha se krahas kësaj pritet që të vazhdohet Bulevardi “Bllagoja Toska”, “Vidoe Smilevski Bato”, rruga Tetovë-Sellcë, udhëkryqi në fshatin Lisec për në Kodrën e Diellit e kështu me radhë. Për këshillin e BDI-së, të cilët votuan të përmbajtur, buxheti është për të rehatuar militantët partiakë dhe jo zhvillimor.

Sipas Liridon Dishës, këshilltar i BDI-së, me këtë buxhet janë ndarë 1 milion euro vetëm për punësime të përkohshme dhe prandaj ata vendosën që të mos e votojnë buxhetin. Sipas tij, kjo administratë e komunës nuk parasheh zgjidhje për problemet kryesore të qytetit të Tetovës.

Edhe këshilltari i Alternativës Faton Selami, tha se propozimet e tij nuk janë pranuar e që kanë të bëjnë me mburojat në rrugën Sellcë-Vocë, rrugës e Shipkovicës dhe projekte për kanalizim për fshatin Xhepçisht. Pasi nuk u pranuan kërkesat e tij, ai tha se do të votojë i përmbajtur.

Këshilltarët e OBRM-PDUKM-së, thanë se shumica e projekteve të tyre janë përfshirë në buxhetin e vitit 2023 e që kanë të bëjnë me parqe në disa lagje, me manifestime fetare në qendër të Tetovës dhe rregullimin e hapësirës përreth varrezave ortodokse. Seanca është përcjellur me shumë përplasje mes këshilltarëve të BDI-së dhe atyre të Lëvizjes Besa, sidomos në pjesën e paraparë për kontrata në vepër.

Përderisa BDI-ja, insiston se për këtë qëllim janë ndarë një milion euro, komuna është arsyetuar se është ndarë buxhet vetëm për 69 punësime me kontratë në vepër. Madje, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se janë zvogëluar harxhimet për udhëtime zyrtare dhe harxhime tjera që janë bërë në të kaluarën me qëllim që të ketë mjete për investime në qytet.

Sipas Kasamit, edhe përskaj obstruksioneve nga pushteti qendror, megjithatë komuna ka arritur që të realizojë projekte që nuk janë realizuar 8 vite. Kasami, tha se nga Agjencioni për Zhvillim Rural, nuk është pranuar asnjë projekt i tyre. Ai nënvizoi se përderisa tashmë janë paraparë 69 punësime, në të kaluarën ka patur 600 punësime me kontratë në vepër, kurse ka patur prej tyre që asnjëherë nuk kanë ardhur në punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat