Edhe në Tetovë filloi grumbullimi i ndihmave për Turqinë dhe Sirinë

Tetova

Edhe në Tetovë filloi grumbullimi i ndihmave për Turqinë dhe Sirinë

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 14:13
Ndihma

Veshmbathje, të holla, ushqime, mjete higjienike. Këto janë ndihmat të cilët mund të dërgohen në Turqi dhe Siri, në pikën e grumbullimit në qendër të Tetovës dhe në oborrin e Gjimnazit të Tetovës afër policisë. Në Tetovë, tashmë aktivistët të shoqërisë civile në bashkëpunim me komunën e Tetovës janë vënë në funksion për të ndihmuar qytetarët e dy shteteve të cilët pësuan nga tërmeti katastrofal i 6 shkurtit.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pasi donoi mjete në të holla së bashku me kryesuesin e Këshillit, Besar Durmishi, tha se në këto ditë të vështira solidarizohen me popullin turk dhe sirian. Ndërkaq, ai është shprehur i bindur se do të tejkalohen të gjitha procedurat që ndihmat të arrijnë në vendin e duhur. Poashtu, qytetarët kanë në dispozicion edhe fletëpagesa të cilët janë të gatshme ku mund të donohen të hollat. Ai tha se do të tejkalohet të gjitha pengesat administrative që institucionet e atjeshme do të sjellin vendime adekuate për trajtimin e këtyre ndihmave. Sipas Kasamit, në këtë rast, ndihma më e mirë do të ishte ndihma financiare.

“Kjo është në kuadër të mundësive tona si qytetarë, si komunë e Tetovës të ndihmojmë dhe të jemi pranë popullit turk në këto momente kritike. Më lejoni të bëj thirrje deri tek të gjithë qytetarët e Tetovës brenda mundësive që kanë, sigurisht ndihmat mund të jenë në produkte ushqimore të cilët janë më së të nevojshme, por gjithashtu edhe në mjete financiare, për çka është hapur edhe llogari për donacion, është formuar një komision nga ana e këshillit ku pjesë janë këshilltarë dhe sektorit civil, i cili këshill do të ndjekë procesin e grumbullimit të ndihmave dhe dërgimin e të njëjtave në vendin e duhur. Pagesa e donacioneve të jetë përmes bankës”, deklaroi Kasami.

Nga këshilli rinor në komunën e Tetovës thonë se grumbullimi bëhet me qëllim që t`u dilet në ndihmë qytetarëve që kanë pësuar nga tërmeti.“Grumbullimi i ndihmave do të zgjasë deri më 20 shkurt. Pikë grumbullimi do të jetë edhe salla e objektit të vjetër të gjimnazi. Ndihmat do të selektohen, do të paketohen dhe do të ketë mbishkrime se për cilën moshë do të jenë. Qytetarët e atjeshëm kanë nevojë për pallto, shall, mjete higjienike, sanitare, medikamente, doreza dhe ushqime. Shpresojmë që ndihmat do të arrijnë atje ku duhet përmes ambasadës”, tha Elma Sherifi nga Këshilli Rinor në komunën e Tetovës. Ditë më parë, Këshilli i Komunës së Tetovës solli vendim për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë, me një vlerë prej 1 milion denarë, ndërsa tashmë është formuar edhe komision që do të merret me këta ndihma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat