Do të zhvendoset pema që duhej të pastronte ajrin në Tetovë

Tetova

Do të zhvendoset pema që duhej të pastronte ajrin në Tetovë

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 16:47
Pema

Para gjashtë vitesh, kur rajoni i Tetovës dhe rrethina ishin ndër rajonet më të ndotura në botë, u vendos druri i qytetit që do të pastronte ajrin e ndotur në pjesën qendrore të qytetit. Në atë kohë u tha se efekti i kësaj peme krahasohet me mbjelljen e 275 fidanëve. Por, pas gjashtë vitesh kjo pemë është tharë tërësisht dhe nuk ka asnjë funksion, nga ajo që ishte parashikuar në atë kohë, pra pastrimin e ajrit.

Autoritetet e komunës së Tetovës theksojnë se disa herë kanë tentuar që të bëjnë riaktivizimin e së njëjtës, por kjo ka kosto të lartë, mjete të cilët komuna e Tetovës për momentin nuk mund t`i sigurojë.

“Ne kemi kontaktuar me kompaninë që e ka vendosur para disa vitesh, jemi interesuar për riparimin e së njëjtës, mirëpo ata na thanë se në atë kohë ai objekt ka qenë si donacion i më shumë kompanive dhe ka qenë donacion i njëhershëm, kështu që nuk përsëritet sërish. Ne si komunë, jemi interesuar që ta riparojmë por ajo ka kosto të lartë, diku rreth 20 mijë euro është vlera e riparimit dhe sërish të vazhdohet me mirëmbajtje”, tha Memet Jonuzi, nga Sektori për Veprimtari Komunale.

Nga komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se e njëjta do të largohet nga ky vend. Paralajmërohet që në atë vend të vendoset pika informuese për turistët. “Kemi vendosur që ta dislokojmë në vend tjetër sepse në atë lokacion është paraparë zyra informative për turistët. Jemi drejtuar me shkresë deri tek Ndërmarrja Publike Komunale që e njëjta të dislokohet dhe do të vendoset në një vend tjetër. Nëse në të ardhmen komuna ka kapacitet që e njëjta të riparohet atëherë do të rivendoset sërish në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës. Për momentin, zgjidhja është që të dislokohet nga ai vend sepse edhe pengon në lëvizjen e lirë të qytetarëve”, deklaroi Memet Jonuzi, nga Sektori për Veprimtari Komunale në komunën e Tetovës.

Ndryshe, filtri i ajrit pothuajse nuk arriti që të funksionojë gjatë kohë. Tharja e luleve dhe mos pasja e një sistemi të mirëfilltë të ujitjes kishte bërë që e njëjta asnjëherë mos jetë në funksion të pastrimit të ajrit edhe pse në atë projekt ishin përfshirë edhe shumë kompani private që kishin bërë financimin e së njëjtës, kurse më pas për të njëjtin do të duhej që të kujdesen autoritetet lokale. Krahas mosmirëmbajtjes, problem në vete ka qenë dëmtimi dhe vjedhja e luleve që ishin në atë pemë. Në atë kohë, u tha se ky konstruksioni përmban dhe sensorë për të mbledhur të dhëna të rëndësishme për mjedisin jetësor dhe klimën me qëllim për të rregulluar dhe kontrolluar të gjithë strukturën dhe për të siguruar mbijetesën e bimëve por edhe ky funksion dështoi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat