Nuk ka shpresa për përsëritjen e zgjedhjeve për rektor në Universitetin e Tetovës

Tetova

Nuk ka shpresa për përsëritjen e zgjedhjeve për rektor në Universitetin e Tetovës

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 22:11
Foto ilustrim

Jusuf Zejneli është rektori i ri i Universitetit të Tetovës. Gara kaloi mes akuzash për fushatë të fshehtë me presione politike duke favorizuar kandidatin Jusuf Zejneli, gjë për të cilën folën tre kundëkandidatët e tjerë Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi, që u tërhoqën nga gara. Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Halit Ferati, për TV21 tha që si i kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme sipas kompetencave që i kanë, duke përmirësuar parregullsitë e konkursit për rektor të UT-së, por se nuk mund ta anulojnë të njëjtën.

“Nuk do të thotë që ne kemi kompetencë që të prishim konkurs ose një proces ku zgjidhet rektori. D.m.th ne e kryejmë inspektimin, konstatojmë parregullsitë dhe jemi të obliguar si institucion të informojmë organet kompetente. Ne nuk kemi një nen i ligjit që mund të ndërhyjmë në këtë proces. Sikur të kishte, patjetër që do të ishte kryer inspektimi dhe do të merrnim masat tona”, tha Halit Ferati, drejtor i IshA.

Por çfarë parashohin nenet 202, 203 dhe 204 nga ligji për arsim të lartë?

“Në këtë rast, Ministria e Arsimit ka opsionin që të formojë një komision që të konstaton nëse ka patur parregullësi dhe nëse janë ato parregullësi të konstatuara nga ne. Komisioni e informon ministrin. Ministri informon institucionin e arsimit të lartë me një afat të caktuar 30 ditor. Nëse ai institucion nuk përmirëson gjendjen, sjellë vendim Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në fazën e nenit është shumë qartë e cekur se në rast se nuk zbatohen vendimet e Ministrisë së Arsimit, përfundojnë deri në rend dite të qeverisë, e ku ndodhë edhe mbyllja e institucionit”, shtoi Ferati.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, dje pohoi se si ministri nuk kanë mundësi të ndërhyjnë në proces zgjedhor të një universiteti, por nëse konfirmohen parregullësi, mund të formojnë komision për vërtetimin e të njëjtave.

Nga ana tjetër, anëtari i Komisionit për Parandalim të Korrupsionit, Vlladimir Georgiev, tha që do të hapin lëndë për UT-në nëse gjejnë elemente të mjaftueshme për veprim.

“Edhe në vet hulumtimet tona që i bëjmë kemi konstatuar ndikim të madh gjatë zgjedhjes edhe të rektorëve edhe të dekanëve, por edhe të titujve shkencorë. Do ta kemi parasysh edhe këtë, kuptohet që kemi vepruar deri sot në shumë raste kështu që nëse gjejmë elemente për veprim edhe në këtë rast konkret, do të fillojmë me mbledhjen e informacioneve shtesë, shtoi Vlladimir Georgiev”, anëtar i Antikorrupsionit.

Rektori i ri i UT-së Jusuf Zejneli u zgjodh me 260 vota nga gjithsej 334 anëtarë të këshillave mësimorë-shkencorë të fakulteteve. Mandati i rektorit është 3 vjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat