Premtim i ri për rinovimin e Stadiumit të Tetovës, Kasami: Punimet pritet të nisin brenda vitit

Tetova

Premtim i ri për rinovimin e Stadiumit të Tetovës, Kasami: Punimet pritet të nisin brenda vitit

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 17:09
Tetovë

Edhe një premtim për rinovimin e Stadiumit të qytetit të Tetovës. Kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, i cili, premtimin për stadiumin e qytetit e ka pasur edhe në fushatën parazgjedhore, thotë se punimet pritet të nisin brenda vitit. Për dallim nga më parë kur për stadiumin pritej të gjendet investitor, Kasami kësaj radhe tha se do bëhet nga vetë komuna e Tetovës.

“Tani veçmë e kemi gjetur zgjidhjen ligjore dhe po punojnë për aspektin formal juridik se si të bëhet publik dhe të nis realizimi i projektit. Ditët në vijim sigurisht që do këtë zgjidhje do e prezantojmë para opinionit dhe mbetem në qëndrimin e dhënë më herët që, së shpejti, apo brenda këtij viti, nëse shkojnë gjitha punët në bazë të parashikimeve, do nis rregullimi i stadiumit të qytetit”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.

Përkundër shpresave që jepen nga komuna e Tetovës se së shpejti apo këtë vit stadiumi do fillojë të rinovohet dhe do të ketë krejtësisht një pamje tjetër, banorët shprehen skeptik. Nuk i besojnë këtij premtimi para se të fillojnë punimet, sepse ky premtim është tejet i vjetër dhe deri më tani ka mbetur vetëm premtim. Ndërkohë, pamja që ka marrë stadiumi i qytetit shkaku i neglizhencës së komunës, është ky që shihni pas meje, një xhungël mbeturinash”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

“Për të besuar nuk besojmë se do bëhet, por që duhet-duhet. Nuk i ngjan qytetit kjo, është bë katastrofë. Natën në mëngjes e kemi edhe rrezik prej qenve”.

“Moti kohë thuhet se do bëhet dhe nuk është duke u bërë, por nuk e di a do bëhet apo jo. Gabimi ishte që i larguan qiraxhinjtë nga këtu dhe mbeti ja kështu si është”.

Ndryshe, sipas burimeve tona brenda komunës së Tetovës, tek stadiumi i qytetit pritet të investohet diku rreth 10 milionë euro, ndërsa përveç objektit të stadiumit, pritet të rregullohet edhe hapësira për rreth me vende për parkim por edhe hapësira afariste. Punimet për rregullimin e stadiumit, pritet të nisin më së voni në fillim të shtatorit të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat