Ende del zjarr dhe tym nga deponia e djegur afër Tetovës, Pollogu nën tym

Tetova

Ende del zjarr dhe tym nga deponia e djegur afër Tetovës, Pollogu nën tym

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 15:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Ekipet e zjarrfikësve ende po punojnë në shuarjen e zjarrit nga deponia me mbeturina afër Vollkovisë në rrethinën e Tetovës. Tymi dhe era e rëndë janë shpërndarë pothuajse në tërë rajonin e Pollogut, deri në Tetovë dhe Gostivari si dhe fshatrat mes dy qyteteve.

Komandanti i Njësisë territoriale kundër zjarreve (NJTZ) Tetovë, Avni Ahmeti ka informuar se edhe sot do të vazhdohet të punohet për shuarjen e zjarrit deri në përfundimin e tij.

“Kemi të njëjtën situatë, NJTZ po intervenon në deponinë që është djegur mbrëmë. Gjatë ditës së djeshme kemi pasur dhe disa ndërhyrje tjera në të njëjtin lokacion, komunë e Bervenicës. Deri tani kemi hedhur ujë që janë sjellur nga 40 kamionë të cilët kanë kapacitet të bartin deri në dhjetë ton ujë, por përsëri ka zjarr”, tha Avni Ahmeti.

Sipas tij, gjendja është alarmante dhe duhet të ketë ndihmë prej institucioneve shtetërore.

NJTZ-së i nevojitet ndihmë nga të gjitha institucionet për të dalë në ndihmë për shkak të situatës. Duhet që t’i qetësojmë qytetarët që paraqiten shpesh për ndotjen e ajrit. Kanë të drejtë. Presim që të kyçen të gjitha institucionet për rastin e deponisë. Mbrëmë kemi kontaktuar një ekspert i cili theksoi se këto mbeturina patjetër të vendosen në një gropë të madhe dhe të mbulohen me dhe. Atje në lokacionin është filluar të gropohet. Shpresoj se sot do të qetësohet tymi”, ka thënë komandanti.

Deponia është djegur të martën një orë pas mesnate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat