Protestë në Tetovë; kërkohet zbulimi i fajtorëve të zjarrit që u mori jetën 14 personave

Tetova

Protestë në Tetovë; kërkohet zbulimi i fajtorëve të zjarrit që u mori jetën 14 personave

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 18:28
Foto ilustrim

Dy vjet pas zjarrit që u mori jetën 14 personave në spitalin e koronavirusit në Tetovë, sot një grup qytetarësh protestoi përgjatë rrugëve nga spitali i qytetit deri tek Prokuroria Themelore për shkak të mosgjetjes dhe mosdënimit të fajtorëve.

Familjarë të viktimave dhe në përgjithësi opinioni publik u zemëruan në veçanti pas një dokumentari të shfaqur para pak javësh, që zbuloi se ndërtimi i spitalit modular ishte bërë jashtë standardeve të duhura dhe punimet i kishte bërë kompania e ish-zëvendës-kryeministrit Koço Angjushev, i lidhur ngushtë me ish-Ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe me ish-Kryeministrin Zoran Zaev.

Prokuroria akuzoi dy drejtorë dhe një mjek të spitalit të Tetovës. Dy drejtorët morën dënime me kusht me nga një vit e gjysmë, ndërsa mjeku u lirua nga akuzat.

Protesuesit kërkuan që prokuroria të hapë një proces të ri gjyqësor. Ata gjithashtu kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit të vendit dhe prokurorëve të Tetovës, të cilët e proceduan rastin. Ata mbanin parulla ku shkruhej: “32 vjet shtet, 32 vjet korrupsion”.

Prokuroria Publike thotë se ende po bëhen hetime lidhur me tenderin për ngritjen e spitaleve modulare, raporton VOA.

Ndërkohë, një skandal tjetër në Klinikën e Onkologjisë në Shkup ende mbetet pa zgjidhje. Prokuroria po punon për zbulimin e rastit të vjedhjes së ilaçeve për të sëmurët nga kanceri me qëllim shitjen në tregun e zi jashtë vendit. Ende nuk janë ngritur akuza, teksa Ministria e Shëndetësisë dhe drejtuesit e klinikës kanë lënë të kuptohej se një infermiere, tanimë e pezulluar nga puna, ishte parë në të kaluarën duke vjedhur ilaçet.

Rasti ka marrë dimensione politike në Maqedoninë e Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat