Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë, Durmishi: Së shpejti do të kemi pajtimin e VMRO-së

Tetova

Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë, Durmishi: Së shpejti do të kemi pajtimin e VMRO-së

Më: 10 shtator 2023 Në ora: 09:50
Komuna e Tetovës

Nuk ka ende asgjë konkrete edhe pse kanë kaluar më tepër se një vit nga fillimi i nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga ana e Komunës së Tetovës në bashkëpunim me Shoqatën Akademike të Shqiptarëve për Art dhe Shkencë (ShAShASh).

Që të miratohen emrat e ri, duhen edhe votat e këshilltarëve të OBRM-së në Këshillin komunal, të cilët më herët janë deklaruar se nuk do përkrahin nismën e tillë. Por, kryetari i Këshillit Komunal tha se janë në koordinim me ata dhe shumë shpejtë edhe shumica e kësaj pakice do e përkrahë, shkruan Portalb.mk.

Nisma e filluar parasheh ndryshimin e emrave të rrugëve dhe të institucioneve të mësipërme me qëllim për të pasqyruar realitetin etnik dhe kulturor të Tetovës dhe fshatrat e komunës.

Siç patën theksuar nga ShAShASh, nuk synohet të eliminohen emrat maqedonas por realiteti etnik të pasqyrohet ashtu siç është dhe se nuk do të jetë në dëm të asnjë partie politike.

Që të miratohen emrat e ri në Këshillin e Komunës, duhet të respektohet parimi i “Badenterit” me të cilin duhet të votojë shumica e pakicës, në këtë rast këshilltarët e OBRM-së të cilit janë pjesë e shumicës në Këshillin Komunal. Por të njëjtit deri më tani kanë deklaruar se nuk do përkrahin diçka të tillë.

Megjithatë, kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi i pyetur për këtë nismë se ku ka ngecur tha se e njëjtë është në procedurë dhe se shumë shpejtë do të informohet opinioni.

“Jemi në koordinim, e dini që funksionon me ligj të badenterit. Shumë shpejtë edhe shumica e pakicës do e përkrahë, kemi bërë një akademi që është marrë dhe ka propozuar ndryshimin e emrave të rrugëve dhe të shkollave të mesme, shumë shpejtë do të marrim edhe nga pala tjetër propozimet e saja dhe do të gjejmë një harmonizim dhe sinkronizim dhe do të dalim me komunikatë”, tha Drumishi.

Nga ana tjetër, këshilltari komunal nga BDI-ja, Liridon Disha tha se ndryshimin e emrave të rrugëve dhe të shkollave e ka arritur udhëheqësia e BDI-së, respektivisht këshilltarët komunal të BDI-së shumë vite më parë.

“Arsyeja pse kryetari i komunës dëshiron ta aktualizojë këtë çështje e dimë të gjithë se është për poena politik. Ne e dimë të gjithë se pa badenter ajo nuk kalon dhe si duket kjo bëhet qëllimisht që të provokohet pala tjetër për të mos votuar dhe pastaj për tu arsyetuar para qytetarëve se tentativat e tij ishin që të ndryshohen emrat mirëpo ja që pala tjetër nuk voton dhe ngelën emrat pa u ndryshuar. Ne nuk jemi kundër që të ndryshohen emrat, ne në vazhdimësi kemi luftuar që emrat në të cilat institucione marrin pjesë shumicë shqiptare të jenë në gjuhën shqipe, mirëpo jemi edhe për që kjo të arrihet me një konsensus mes të gjitha palëve mos të ketë ngatërresa dhe mos të ketë kundërthënie mes partive politike”, tha Disha.

Kryetari i Komunës së Tetovës, gushtin e vitit 2022 deklaroi se nismës do i shkojnë deri në fund dhe se parashihnin që brenda atij viti të përmbyllej ky proces. Mirëpo, kjo deri tani nuk është bërë.

Në Tetovë aktualisht, edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Kujtojmë që në të kaluarën ka pasur edhe nisma të tilla të cilat nuk kanë përfunduar deri në fund. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat