Mexhiti: Për herë të parë hapëm specializimet në Universitetin e Tetovës

Tetova

Mexhiti: Për herë të parë hapëm specializimet në Universitetin e Tetovës

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 18:08
Foto nga takimi

Sot, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Fatmir Mexhiti, ka mbajtur një fjalim në ceremoninë solemne të ndarjes së specializimeve për punonjësit shëndetësorë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës. Ky është një hap historik, duke shënjuar fillimin e specializimeve në këtë institucion arsimor për herë të parë.

“Është nder dhe kënaqësi për mua të drejtohem në ceremoninë e sotme solemne me rastin e ndarjes së specializimeve, përkatësisht indekseve për specializantët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës. Veçanërisht më gëzon fakti që kjo është gjenerata e parë e specializantëve në Fakultetin e Mjekësisë në Tetovë. Të gjithë këta mjekë të rinj, të cilët do të vazhdojnë zhvillimin e tyre profesional dhe ngritjen profesionale në këtë institucion të arsimit të lartë, do të forcojnë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor në të ardhmen. Përmirësimi i vazhdueshëm profesional është thelbësor për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pikërisht për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë i është përkushtuar veçanërisht kësaj fushe.” tha Mexhiti.

Ai gjithashtu informoi se Ministria e Shëndetësisë ka një numër të konsiderueshëm të specializimeve për Universitetin e Tetovës, duke përfshirë fusha të ndryshme mjekësore. Ai theksoi se ky program ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor dhe shtoi se janë ndarë 25 specializime për institucionet publike shëndetësore dhe 34 për institucione private.

Ministri Mexhiti shprehu kënaqësinë e tij për këtë moment historik dhe urojë specializantët për suksesin e tyre të ardhshëm. Ai deklaroi se do të vazhdojë të investojë në kuadrot e reja dhe i inkurajoi ata të ecin përpara në rrugën e tyre profesionale. Në fund, ai përgëzoi pjesëmarrësit për përfundimin e suksesshëm të specializimeve dhe uroi për një të ardhme të shkëlqyer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat