Dy ditë me radhë Gjimnazi i Tetovës pa rrymë elektrike, nxënësit nuk mbajnë mësim

Tetova

Dy ditë me radhë Gjimnazi i Tetovës pa rrymë elektrike, nxënësit nuk mbajnë mësim

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 14:54
Foto ilustrim

Shkolla e mesme “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë për të dytën ditë ka mbetur pa energji elektrike, si pasojë nxënësit nuk kanë ngrohje dhe nuk mbajnë mësim.

Sipas informacioneve të prindërve të nxënësve, ditën e djeshme është ndërprerë furnizimi me energji elektrike dhe problemi po haset edhe në godinën qendrore, si dhe në godinën e njohur si “Mjekësia e Vjetër”.

“Nuk ka rrymë, prandaj nuk ka ngrohje në shkolla. Që nga dje është ndërprerë rryma, kështu që fëmijët u kthyen në shtëpi më herët. Ata sot në ndërrimin e parë janë nisur për mësim, por janë kthyer sërish në shtëpi pasi nuk kanë kushte për të vijuar mësimin”, bëjnë të ditur prindërit e nxënësve në gjimnazin e Tetovës.

Drejtoresha Teuta Lala informoi sot se furnizimi me energji elektrike është ndërprerë nga kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike për shkak të një borxhi të papaguar. Që nga korriku i vitit 2023, shkolla e mesme “Kiril Pejçinoviq” është nën autoritetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Energjia nuk është paguar sepse shkolla e mesme ka borxhe, ndaj mjetet që na vijnë nga Ministria e Arsimit i marrin përmbaruesit. Për shtatë muajt e parë të këtij viti, sipas njohurive të mia, fondet tona kanë mbetur në komunë dhe prandaj kemi borxhe. Drejtpërsëdrejti kam kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të gjejë një zgjidhje për problemin”, informoi drejtoresha Teuta Lalla.

Nga Sektori për veprimtari publike në Komunën e Tetovës bëjnë të ditur se nuk kanë kompetencë të flasin për shkollën e mesme për shkak të revokimit të kredencialeve. Në gjimnazin “Kiril Pejcinoviq” vijojnë mësimin 1300 nxënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat