Në Tiranë, një apartament i kthyer në muzeun Kadare

Tirana

Në Tiranë, një apartament i kthyer në muzeun Kadare

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 09:54
Ismail Kadare

Ismail Kadare hap perden që të futet më shumë dritë, shikon parkun tre kate më poshtë. Ky apartament i Tiranës ku shkrimtari shqiptar ka shkruar shumë kryevepra mban që prej muajit maj një muze në nderin e tij.

“Punoja këtu, në krahë të oxhakut që nuk ishte vetëm dekorativ si sot. Aty kishte një tavolinë të vogël dhe dy stola”, përshkruan ai, i ulur në kolltuk ku shkruante me dorë dhe sipër gjurit.

Sot perdet janë zbehur. Por atëherë ato ishin të errëta dhe të rënda në përpjekje për të izoluar pjesën e brendshme nga kontrolli paranojak i ushtruar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

“Dashuroja letërsinë më shumë se çdo gjë, e respektoja më shumë se çdo gjë, i bindesha vetëm urdhrave të saj që fshiheshin gjithnjë në vende sekrete”, thotë ai.

“Dhe punoja vetëm në mëngjes”, tregon sërish shkrimtari i madh i Ballkanit, në moshën 83-vjeçare.

Gjatë atyre viteve me familjen e tij në këtë godinë prej betoni (1973-1990), Kadare ka publikuar disa prej romaneve të tij më të mëdhenj, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Kamarja e turpit”, “Pallati i ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Dosja H.”…

Gjithashtu autor poezie, Ismail Kadare ka publikuar rreth 50 romane dhe ese.

Atje ka një makinë shkrimi, llulla mbi një tavolinë, një bibliotekë, një broshurë që i përkiste “oficerit rezervë” Kadare, një foto e Marcello Mastroianni në përshtatjen kinematografike të “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”… Kadare kishte paralajmëruar krijuesit e muzeut se nuk donte një mauzole.

Devijime kubiste

Me bashkëshorten e tij Elena, gjithashtu shkrimtare, Kadare ndan jetën e tij mes Shqipërisë dhe Lagjes Latine në Paris, ku u aratis në vitin 1990, “një veprim shërimi” disa muaj pas rënies së komunizmit, duke braktisur në apartament dorëshkrime që më pas u gjendën në bodrumin e një rajoni policie.

Çmenduria shtypëse e regjimit përmblidhet me fatin e Maks Velo, arkitekti i godinës, i dënuar me tetë vite burg për kubizëm, një devijim artistik në sytë e regjimit.

Megjithatë, gjatë diktaturës, Kadare nuk reshti kurrë së shkruari.

Thuhej se tirani, që pretendonte se ishte ekspert në letërsi, e pëlqente veprën të këtij shkrimtari origjinal si ky nga Gjirokastra, “qyteti i gurtë”. Kadare bën shaka me faktin që shtëpitë e prindërve të tyre lidheshin nga një “rrugicë budallenjsh”.

Shpesh herë i kritikuar se ka ngritur veprën e tij nën syrin e Enver Hoxhës ose sepse nuk e ka përballur frontalisht diktatorin, ai shprehet “besimplotë se nëse hapen arkivat, aty nuk ka asgjë kundër atij”.

“Regjimi komunist ra por ne kemi nevojë të njohim atë që ne kemi jetuar, si kemi jetuar, si fshiheshin të vërtetat, si na janë prezantuar”.

“Vepra ime nuk i bindet ligjeve të letërsisë”, garanton shkrimtari i cili linte të dukeshin, me diskutimet në krye, gjurmë të marrëdhënieve mes diktaturës dhe shkrimit.

Kadare ka një lajtmotiv, shtypja nuk mund të shërbejë si justifikim për të mos krijuar.

“Në kohët e errëta, letërsia shpesh herë ka krijuar vepra të mrekullueshme, sikur ajo të shëronte fatkeqësitë”, thotë ai.

“Sa më e vështirë është jeta në një vend, nën një regjim apo një rend social, më shumë ajo do të ngjallë interes për letërsinë”.

“Dokrra bolshevike”

E bollshme, epike, e ngritur mbi legjenda, vepra e tij ka për objektiv shpalosë misteret e jetës, shpjegon shkrimtari. Kadare shpjet i ktheu shpinën realizmit socialist të përbuzur me të cilin, kur ishte student, u njoh në Institutin Maxime-Gorki në Moskë.

“Slogani i socializmit ishte ‘Letërsia duhet të reflektojë jetën’. Ishte e boshatisur nga kuptimi sepse në të vërtetë letërsia duhej të përfaqësonte interesat e regjimit, të fliste për festat, kooperativat, sloganet e partisë, për entuziazmin e rinisë…”

“Shpirti perëndimor, shpirti europian e shpëtuan letërsinë time, pa u dehur nga dokrrat bolshevike që kishin frenuar vendet e Ballkanit dhe të Azisë”, thotë ai.

Kjo çështja e vë në siklet, por Kadare pëlqen që emri i tij të citohet mes nobelistëve: “Nuk jam modest sepse, në parim, jam kundër modestisë. Gjatë regjimit totalitar, modestia ishte një thirrje ndaj nënshtrimit. Shkrimtari nuk ka përse të ulë kokën”.

Duke mbajtur kokën lartë, shkrimtari mbron letërsinë përballë diktaturës, thotë ky mik, një tjetër shkrimtar i madh i bllokut komunist i arratisur në Paris, Milan Kundera: “Kur arti mbijeton, ky është triumfi i tij. Arti nuk triumfon kurrë me kokën e ulur”. /AFP/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat