Bashkia pezullon 3 muaj abonetë, udhëtarët do paguajnë cash për të lëvizur në Tiranë, Veliaj kërkon studim

Tirana

Bashkia pezullon 3 muaj abonetë, udhëtarët do paguajnë cash për të lëvizur në Tiranë, Veliaj kërkon studim

Më: 29 maj 2021 Në ora: 20:11
Foto

Bashkia e Tiranës ka kërkuar pezullimin e aboneve në tre muaj. Tashmë në këshill është paraqitur dhe projekti përmes të cilit propozohet realizimi i një studimi për rishpërndarjen e linjave apo dhe të frekuencës së lëvizjes. Në draft nuk flitet për kompensim të biletës për shtresat në nevojë.

Në muajt qershor, korrik dhe gusht, duket se aboneja e përgjithshme për linjat e transportit publik në Tiranë do të hiqet. 

Tashmë propozimi i është paraqitur për votim Këshillit Bashkiak, i cili do të japë dhe vulën përfundimtare.

Në relacionin e paraqitur nga administrata thuhet se shkak është bërë pandemia, e cila ka goditur ekonominë në këtë sektor.

Për tre muaj propozohet që të bëhet një studim konkret të lëvizjeve në urbanë, për të marrë më pas vendimet se si do të veprohet me abonetë.

Po ashtu nga ky studim do të varen dhe linjat, pasi do bëhet rishpërndarja mbështetur në bazë të volumit të lëvizjes së personave.

Po ashtu do të vendoset dhe shpeshtësia e lëvizjes. Burimet zyrtare nga përfaqësuesit e transportit publik bëjnë me dije se nisma nuk është propozuar prej tyre.

Por ata pranojnë se numri i ulët i udhëtarëve por dhe abonetë e falsifikuara mbeten shqetësim real.

Madje për këtë të fundit janë bërë dhe denoncimet në polici.

Megjithatë pezullimi i aboneve rëndon në xhepat e banorëve të Tiranës, të cilët shpesh duhet të udhëtojnë në disa linja për të mbërritur në vendin e punës apo në banesë.

Pajtimi mujor kushton 1600 lekë të rinj. Ndërkohë një biletë urbani kushton 40 lekë.

Pesë vite më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës, vendosi të rrisë çmimin e biletës nga 30 lekë në 40.

Kjo me argumentin se do të rritet dhe cilësia e shërbimit, por prej asaj kohe shumë pak gjëra kanë ndryshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat