Veliaj: Nis rikonstruksioni i plotë i Shkollës së Baletit, përfundon në pranverë

Tirana

Veliaj: Nis rikonstruksioni i plotë i Shkollës së Baletit, përfundon në pranverë

Më: 10 nëntor 2016 Në ora: 12:21
Pamje nga takimi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Shkolla e Baletit dhe lajmëroi nisjen e punimeve për rikonstruksionin e saj, ku studiojnë 226 nxënës të moshave 10-18 vjeç.

Në fjalën e tij, Veliaj tha se bashkia dhe institucionet shtetërore mbajnë përgjegjësi për investimet që janë publike dhe që duhet të jenë me standardet më të mira.

“Ajo që kemi në dorë është të krijojmë kushte fantastike mësimi. Besoj se deri në pranverë do të kemi mbaruar të gjithë rikonstruksionin e Shkollës së Baletit. Ashtu siç punuam në kohë rekord me Liceun Artistik, ashtu do të mbarojmë edhe këtë shkollë”, tha ai.

Veliaj deklaroi se do të lirohen të gjitha hapësirat publike rreth e qark shkollave të zëna nga ndërtimet informale.“Kemi marrë disa propozime se si mund të bëjmë hapësirat më të bollshme. Do të na duhet të prishim disa ndërtime pa leje rreth e qark shkollës. Nëse nuk do ta bëjnë këtë vullnetarisht, fadroma e bashkisë do ta bëjë këtë, por koha kur zaptojmë për të zgjidhur një interes të vogël të momentit duke zaptuar talentin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ka mbaruar”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat