Klosi: E megjithatë “2020-a ishte një ‘wow’ për turizmin shqiptar”

Turizëm

Klosi: E megjithatë “2020-a ishte një ‘wow’ për turizmin shqiptar”

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 22:34
Blendi Klosi

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për vështirësitë me të cilat u përball vendi dhe kryesisht turizmi shqiptar, gjatë këtij viti të pandemisë së koronavirusit.

Ministri Klosi tha se turizmi ishte i vetmi sektor që funksionoi plotësisht dhe mjaft mirë gjatë muajve të verës, ndërsa shtoi se në vendin tonë janë futur mbi 2 milionë e gjysmë turistë, ose rreth 50% më shumë se një vit më parë.

Sipas tij, hotelet shqiptare u mbushën plot këtë sezon turistik, jo vetëm nga turizmi i brendshëm, por pati edhe një numër të konsiderueshëm turistësh serbë, boshnjakë, maqedonas, që gjetën parajsën në Shqipëri.

“Edhe ta festosh Vitin e Ri në familje ka një lloj pozitiviteti. Ky vit na riktheu shumë në origjinë, te familja. Qenia njerëzore është ndërtuar e tillë, që përshtatet. Edhe pse themi që ishte një vit i jashtëzakonshëm, edhe turizmi shqiptar dëshmoi se mund t’ia dalë. Ishte keq ky vit, por brenda të keqes ne nuk falimentuam. Nga qershori deri në shtator turizmi ka pasur një biznes të suksesshëm. U zbuluan pika të jashtëzakonshme të bukurisë sonë natyrore dhe tani kemi akoma një turizëm të brendshëm aktiv në fundjavë. Ja dolëm të ruanim atë ekuilibrin. Patëm një periudhë, në të cilën ne bëmë numra, bëmë biznes, që mendoj se nuk ishte i keq për pjesën e detit dhe trashëgimisë kulturore. Pati biznes të konsiderueshëm. Hotele të reja bëhen përditë, kërkesa për hotele të reja në të gjithë Shqipërinë ka cdo ditë. Gjithashtu, ky vit na tregoi se një turizëm i brendshëm shqiptar ja doli t’i mbushte plot hotelet tona. Ne ishim shumë të qëndrueshëm në sistemin shëndetësor dhe ja dolëm të pranonim turistë nga Kosova, edhe pse unë nuk ndjehem mirë kur dëgjoj për ndarje Shqipëri-Kosovë, ne nuk duhet të ndahemi. Ky turizëm i mbushi plot hotelet tona dhe tregoi sa shumë kemi nevojë për kapacitete të reja. Fakti që ne ishim të hapur në zonën e hotelerisë, na bëri të kishim një numër të konsiderueshëm turistësh serb, boshnjak, maqedonas. I gjithë ky bregdet mbarëshqiptar i duhet ofruar rajonit, vende si Serbia, Bosnje-Hercegovina, etj., duhet të na shërbejë si armë e fortë”, u shpreh ministri.

I kemi fituar ne këta turistë, do të rikthehen sërish në Shqipëri?
Ishte biznesi i vetëm që funksionoi në mënyrë të plotë gjatë verës dhe ja dolëm. Atë treg që fituam me maqedonasit, serbët, boshnjakët, të cilët në fillim erdhën në vizita individuale dhe pastaj në grup, pasi gjetën parajsën, do e mbajmë, madje do jemi edhe për grekët, se këtë vit ishte i mbyllur. Nuk është te lirësia, por te vlera, që në Shqipëri paraja ka akoma vlerë, ka destinacion të preferuar rëre, që është i vështirë të gjendet kudo në rajon. Nuk e ka këtë rërë Kroacia, Greqia, etj. Ata e pëlqejnë shumë rërën shqiptare. Më 10 qershor ne patëm charterin e parë turistik në Evropë, pra i pari charter u ul në Shqipëri. 12 chartera nga Bjellorusia dhe Ukraina, por edhe Polonia, erdhën në Shqipëri këtë verë. Besoj se 2021 përsëri do të rikthehet në një vit të jashtëzakonshëm për turizmin shqiptar. Unë kisha informacion që viti 2020 do të ishte një vit ‘uauu’ për Shqipërinë. Dhe kam bindjen se edhe 2021 do të jetë vit i jashtëzakonshëm, nëse maksimumi deri në prill hapet loja e prenotimeve dhe rezervimeve.

A keni shifra krahasuese me një vit më parë?
Në Shqipëri quhet turist ajo pasaportë e huaj që hyn në Shqipëri dhe qëndron më shumë se 24 orë. Në Shqipëri erdhëm më shumë se 2 milionë e gjysmë turistë, që është një shifër 50% më shumë se një vit më parë dhe që as Greqia apo vendet e tjera nuk ja dolën dot ta kishin. Shkuam në 50% të numrit të atyre që hynë vitin e kaluar. Edhe Mali i Zi ishte shumë më keq se ne, pasi humbën serbët, shqiptarët, por edhe se nuk kanë shumë komunitet të brendshëm. Hotelet tona patën turizmin e brendshëm, turizmin rajonal dhe politikat që ndoqëm për të ftuar shumë turistë, si polakë, rusë, etj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat