Kroaci: Ana negative e bumit të turizmit

Turizëm

Kroaci: Ana negative e bumit të turizmit

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 08:18
Kroaci: Ana negative e bumit të turizmit

Pasi hyri në Eurozonë dhe Shengen në fillim të vitit, Kroacia po përjeton dyndje të madhe pushuesish. Por rritja e popullaritetit të vendit ka edhe pasoja negative.

Kroacia është një destinacion turistik mjaft i kërkuar. Industria e turizmit e këtij vendi të Evropës Juglindore pritet që këtë vit t'i tejkalojë shifrat e vitit rekord, 2019, vitit të fundit para koronës. Kështu njofton Ministria kroate e Turizmit. Arsyeja kryesore për këtë bum është se Kroacia që nga fillimi i vitit është anëtare e zonës Shengen dhe për shumicën e turistëve nuk ka më kontrolle në kufi. Përveç kësaj monedha e mëparshme kuna është zëvendësuar me euron. Dhe kjo lehtëson udhëtimin. 

"Krahasuar me vitet e mëparshme dhe me periudhën para pandemisë, në gjysmën e parë të 2023 ka patur rritje të lëvizjes së turistëve”, thotë një zëdhënës i Ministrisë. Vitet e fundit turizmi ka sjellë deri në 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Kroacisë, duke u bërë një faktor ekonomik vendimtar, sidomos në rajonet bregdetare.

Image
Kroaci: Viti 2023 rritje të lëvizjes së turistëve

Euro lehtëson udhëtimet

Anëtarësimi në Eurozonë nga ana tjetër ka rritur transparencën e tregut, raporti çmim-ofertë është bërë më i qartë për pushuesit, thotë një zëdhënës i Ministrisë. Po ashtu pasiguritë, që lidheshin me luhatjet e kursit të këmbimit, janë zhdukur. Kjo ua lëhtëson turistëve që të planifikojnë udhëtimin dhe buxhetin. "Hyrja në zonën Shengen dhe në Eurozonë do të sjellë përfitime të rëndësishme për turizmin kroat”, bën të ditur Ministria. "Vetëm duke marrë parasysh se rreth 80 për qind e pushuesve, që akomodohen në hotele në Kroaci, vijnë nga zona Shengen dhe gati 60 për qind nga Eurozona."

Image
80 për qind e pushuesve, që akomodohen në hotele në Kroaci, vijnë nga zona Shengen dhe gati 60 për qind nga Eurozona

Po që situata e re sjell me vete edhe probleme të reja, këtë e pohojnë edhe në Zagreb. Kështu kohët e fundit ka pasur shpesh ankesa për rritjen e madhe të çmimeve. "Ne jemi të vetëdijshëm për këtë", shprehet një zëdhënës i Ministrisë. "Por fajtor nuk është aq ndryshimi i monedhës sa inflacioni global. Analizat kanë treguar se çmimet janë rritur edhe në destinacione të tjera të Mesdheut, të cilat prej një kohe të gjatë janë pjesë e Eurozonës. Për fat të keq ka pasur edhe raste, kur futja e euros është përdorur si pretekst për rritjen e çmimeve. Të tilla "praktika të padrejta” monitorohen nga autoritetet përkatëse, thotë zëdhënësi, duke tërhequr vemendjen se në Kroaci, për shembull, mund të gjenden ende çmimet më të ulëta të benzinës në BE.

Kritika nga ambientalistët

Image
Dubrovnik: Shishet plastike dhe pasojat negative të turizmit masiv janë të dukshme

Por megjithatë është e qartë se rritja e popullaritetit të vendit me 1880 kilometra vijë bregdetare, me më shumë se 600 ishuj dhe me pika të nxehta turistike si Dubrovniku ka edhe një anë tjetër të medaljes. Pasojat negative të turizmit masiv janë të pashmangshme. Si në Istria, në veri të vendit, në rajonin me numrin më të madh të pushuesve. Ky zhvillim kritikohet për shembull nga ambientalistët e Zelena Istra (Istria e Gjelbër).

Problemet shkojnë nga infrastruktura e pamjaftueshme, si largimi i mbeturinave, te projektet e paligjshme të ndërtimit, si ngritja e shtëpive që përdoren për t`u dhënë me qira në verë e pastaj mbeten bosh për muaj të tërë, deri te privatizimi i plazheve. Popullsia vendase në këto raste humbet qasjen në bregdet, thotë Dunja Mickov nga Zelena Istra. "Zbukurimi” artificial i plazheve është po ashtu i papranueshëm. Zonat, që në fakt janë shkëmbore, shpesh mbushen me rërë për ta bërë më të lehtë përdorimin prej turistëve.

Image
Kroaci: Turma turistësh

Humbja e diversitetit biologjik, ndotja e ajrit, detit dhe ujërare nëntokësore janë vetëm disa nga pasojat e turizmit masiv për mjedisin. "Por kush e kontrollon? Kush kujdeset për të? Gjithçka po ndodh shumë shpejt. Autoritetet e kontrollit nuk reagojnë dhe nuk ka dënime për ata, që nuk respektojnë ligjin", thotë Mickov.

Certifikata për akomodime në përputhje me kërkesat e mjedisit

Edhe organizata ambientaliste Sunce po mendon, se si industria e turizmit të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme në të ardhmen. "Kroacia vitet e fundit ka përjetuar zhvillim të konsiderueshme të turizmit. është një sfidë, që turmat e mëdha t`i vësh në sintoni me ruajtjen e burimeve natyrore dhe të trashëgimisë kulturore”, thekson zëdhënësi i këti grupimi. Së fundmi Sunce ka ngritur projektin e çertifikimit Dalmatia Green, në të cilin vlerësohen sidomos akomodimet turistike të qëndrueshme në rajon. Qeveria në Zagreb e mbështet projektin.

Duket se edhe në kryeqytet e kanë kuptuar se ky objektiv nuk mund të arrihet pa ndërhyrë fort. Qeveria planifikon tani një ligj për turizmin, që do të kontrollojë zhvillimin në bazë të të dhënave objektive, bën të ditur Ministria. Krahas masave të tjera është parashikuar edhe një taksë pushimi. Të ardhurat nga kjo taksë duhet të shkojnë në dobi të mjedisit. Taksa, që nuk planifikohet të vendoset para vitit 2025, do të vlejë vetëm për zonat, që vuajnë nga efektet negative të bumit të pushuesve. "Padyshim, që nuk është turizmi masiv, ai që duam”, thuhet nga ministria. Megjithatë në Zagreb janë të lumtur për rritjen e numri të vizitorëve./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat