Bimët dhe erëzat që forcojnë sistemin imunitar

Ushqime

Bimët dhe erëzat që forcojnë sistemin imunitar

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 16:37
Ilustrim

Frika për t’u prekur nga gripi, në këtë vjeshtë që po afrohet, prek shumë prej nesh, burra dhe gra. Dhe ndërsa të gjithë kemi mësuar të lajmë duart, të respektojmë distancat e sigurisë dhe mbi të gjitha, të mbajmë një maskë, tani është koha të mësojmë sekretet natyrore për ta bërë sistemin tonë imunitar të pathyeshëm.

Sipas një artikulli interesant të botuar nga portali “NDTV Doctor”, për të forcuar mbrojtjen imune dhe për të parandaluar rrezikun e sëmundjeve sezonale, mund të filloni duke konsumuar disa bimë dhe erëza, thjesht duke i përfshirë në dietën tuaj ushqyese.

Ja këshillat e ekspertëve për një sistem imunitar sa më të fortë për sezonin vjeshtë-dimër

Detox i vjeshtës, një strategji e shkëlqyeshme për forcimin e sistemit imunitar

Sipas nutricionistes Laura Quinti, shumë prej nesh në vjeshtë janë të stresuar dhe me trupin të lodhur, kjo për shkak të shumë zakoneve të këqija, si ngrënia e tepërt, gjumi i dobët, abuzimi me substanca të tilla si nikotina, alkooli dhe ilaçet. Epo, mos harroni se nëse trupi është i mbushur me toksina, do të shfaqen edhe simptoma të tilla si dobësia dhe ulja e mbrojtjes imune.

Organet përgjegjëse për detoksifikimin, përkatësisht veshkat, zorrët, mëlçia, por edhe lëkura dhe sistemi limfatik, janë të parët që kërkojnë një veprim detoksik, sepse ato janë tepër të stresuar. Mjaftojnë disa rregulla të mira të sjelljes, duke filluar nga pirja e dy litrave ujë mineral natyral në ditë. Gjithashtu nuk duhet të mungojnë çajrat bimorë, ekstrakte frutash dhe perimesh, për të furnizuar trupin me ujë shtesë si dhe minerale dhe vitamina. Gjërat nga të cilat duhet të hiqni dorë janë yndyrnat shtazore, ushqimet e gatshme dhe industriale, produktet e pasura me sheqer, mielli i rafinuar, produktet e qumështit, si dhe salsiçet, mishi i kuq, ushqimet e konservuara. Vetëm një javë pa këto ushqime do ta ndihmojë shumë sistemin tuaj imunitar. Ah, nuk duhet harruar që gjithmonë ta filloni ditën duke pirë një gotë ujë.

Dy vajrat thelbësorë të vjeshtës

Nëse keni frikë se e gjeni veten në shtrat, me ftohje, kollitje, ngjirje zëri, dy vajra esencialë kundër gripit ia vlen gjithashtu t’i bëni miq. “Asgjë nuk bën mrekulli, por vaji esencial eukalipt dhe vaji i rozmarinës janë shumë të dobishëm për të luftuar lodhjen dhe dobësinë, të cilat shfaqen shpesh para se t’iu zërë gripi, por edhe për të luftuar simptomat e ftohjes” , nënvizon ekspertja e produkteve natyrore Emanuela Mattiuzzi.

“E para shquhet për një efekt antiseptik, antibakterial, dekongjestionant në traktin respirator. Mund të përzieni 3 pika me vaj bajame të ëmbël ose jojoba dhe me masën e përftuar të masazhoni pjesën e gjoksit dhe qafës, si për të parandaluar ashtu edhe për të zvogëluar kollitjet dhe ftohjet. E dyta ndihmon në zbutjen e mukusit dhe qetëson traktin e sipërm respirator, si dhe jep gjallëri gjatë fazës së rikuperimit. Për të përfituar nga efektet e tij të dobishme, rekomandohet të hidhni 2-3 pika në një tenxhere me ujë të vluar. Më pas hidhni një peshqir në kokë dhe duke i mbajtur sytë mbyllur, merrni frymë në avullin aromatik për të paktën 5 minuta”.

Ja bimët dhe erëzat që duhet të përfshini në dietën e vjeshtës për një sistem imun të fuqishëm dhe efikas.

Kanellë

Kanella është një çudi e vërtetë: ndihmon në parandalimin e infeksioneve dhe forcon sistemin imunitar, duke parandaluar rrezikun e infeksioneve. Ju mund ta shtoni atë në kos, ëmbëlsira dhe për aromatizimin e çajit, qumështit dhe çajrave bimorë.

Hudhër

Shpesh nën hijen e aromës së athët, ajo ka veprime të pabesueshme antiseptike dhe antioksiduese. Allicina, e pranishme në hudhër dhe gjithashtu në qepë, ndihmon në rast ftohjeje dhe gripi. Gjithashtu rregullon presionin e gjakut. Idealja do të ishte të shtonit feta të papërpunuara në gatime dhe supa të ndryshme.

Shafrani i Indisë

Kjo erëz përmban një substancë aktive të quajtur kurkumin dhe është përdorur për shekuj me radhë për vetitë antioksiduese, antibakteriale dhe anti-inflamatore. Mund të jetë gjithashtu shumë i dobishëm në rast të sëmundjeve të mushkërive.

Karafil

Karafili garanton një efekt të dyfishtë, anti-inflamator dhe antioksidant. Ju mund të vloni ujë dhe hidhni në të disa karafilë, masa e përftuar është ideale për të bërë gargarë që ju ndihmon të trajtoni kollën e thatë dhe dhimbjet e fytit.

Xhenxhefil

Konsiderohet si një super ushqim, kjo rrënjë ka një numër të madh vetish terapeutike. Konsumimi i tij forcon sistemin imunitar, ndihmon në ruajtjen e peshës dhe zgjidh problemet me tretjen. Ndihmon gjithashtu kundër dhimbjeve të kokës, të përzierave dhe ndjenjës së dobësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat