Mjedra dhe vlerat ushqyese

Ushqime

Mjedra dhe vlerat ushqyese

Më: 29 gusht 2017 Në ora: 16:08
Mjedra

Nëse keni qenë të vëmendshëm, me siguri keni parë nëpër tregjet e frutave dhe zarzavateve të shtohet mjedra. Fruti i kuq i athët që, njësoj si luleshtrydhet disa vite më parë, po vjen në tryezat tona. Përveç shijes, vlerat e saj janë të shumta. Ka përmbajtje të lartë antioksidantësh dhe mbron organizmin e njeriut nga veprimi i dëmshëm i radikaleve të lira. Një tjetër veti e tyre është nxitja e qarkullimit të gjakut dhe pastrimi i enëve e gjakut nga të gjitha llojet e yndyrave.

Mjedra është burim vitaminash, veçanërisht i vitaminës B, përmban një numër të madh mineralesh dhe fibrash. Hulumtimet kanë vërtetuar se mjedra ka veprim antikancerogjen. Antioksidantët parandalojnë veprimet e dëmshme në qeliza të shkaktuara nga oksidimi, për këtë arsye të paktën dy deri tri herë në javë mundësojani vetes mjedrat e shijshme dhe aq të shëndetshme.

VLERAT USHQYESE

Me mjedra mund të kënaqni qiellzën pa u ndier në faj se po hani shumë sepse kanë shumë pak kalori. Në pjesën më të madhe të përbërjes kanë ujë, karbohidrate dhe proteina. Ky ushqim rekomandohet edhe te dietat, sepse ngadalëson tretjen dhe jep ndjesinë e ngopjes. Meqenëse janë burim i pasur fibrash veprojnë fuqishëm në funksionimin e rregullt të zorrëve, por kanë edhe efekt të dobishëm në parandalimin e zhvillimit të diabetit tipit 2. Studimet kanë treguar se ushqimet e pasura me fibra kanë rol vendimtar në zvogëlimin e simptomave të inflamacioneve, sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut, prandaj do të duhej që në ushqim të përfshijmë sa më shumë konsumimin e fibrave.

Përveç frutit, mjedra mund të përdoret edhe si lëng apo shurup. Gjethet e saj janë gjithashtu të vlefshme për të përgatitur çaj shërues. Janë të mirë për përmirësimin e imunitetit, forcim të zemrës, gjatë ftohjes, sëmundjeve të lëkurës. Për shkak të veçorive shëruese të gjetheve të saj, mjedra konsiderohet bima më e mirë për shtatzëninë. Gjethi i mjedrës është i pasur me kalcium, magnezium, hekur, fosfor, kalium, vitaminë B, C dhe E, përmban edhe alkaloid fragarin, i cili rrit fertilitetin te femrat dhe meshkujt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat