Kadastra e Vlorës nuk gjen paqe, shkarkohet drejtori dhe shefi i legalizimeve

Vlora

Kadastra e Vlorës nuk gjen paqe, shkarkohet drejtori dhe shefi i legalizimeve

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Vlorë ka mbetur sërish pa drejtues. Vetëm pas 5 muajsh në detyrë është shkarkuar drejtori Erdet Mandi. Nga detyra janë shkarkuar edhe shefi i sektorit të legalizimeve dhe shefi i kualifikimeve në këtë institucion.

Dy muaj më parë, drejtuesja e re e Kadastrës, Dallëndyshe Bici kallëzoi në SPAK me akuzën për “shpërdorim detyre” tetë zyrtarë të Kadastrës së Vlorës, mes tyre edhe Erdet Mandin. Mandi është drejtuesi i fundit i një institiucioni, ku shteti ka qenë thuajse inekzistent dhe mafia e pronave ka bërë ligjin. Por, ndryshe nga parardhësit që kanë dhënë dorëhqje me motivet e problemeve personale apo shëndetësore, Mandi ikën me akuzë nga Drejtoria e Tiranës.

Ndërkohë, të enjten, është shkarkuar nga detyra edhe shefi i sektorit të legalizimeve, Donald Fegaj dhe shefi i kualifikimeve në këtë institucion.

Sakaq, vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit për shërbimet online në Kadastër dhe mbylljen e sporteleve, në Vlorë, pranë mjediseve të institucionit mungojnë qytetarët. Dera kryesore e kadastrës është e mbyllur, ashtu siç qëndrojnë të mbyllura dhe sportelet.

Vlora është qarku me problemet më të mëdha të pronësisë së tokës, kryesisht në bregdet.

Dosjet e bregdetit kanë shkarkuar një numër të konsiderueshëm drejtuesish, punonjësish dhe juristësh. Ato janë bërë pjesë e verifikimeve nga KLSH dhe SPAK, teksa ka pasur të proceduar penalisht një numër të lartë drejtuesish dhe punonjësish madje edhe të arrestuar.

Për shembull, ish-drejtori i Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, është dënuar me dy vite burgim për tjetërsimin e pronave në Himarë dhe Dhërmi. Ndërkohë, në harkun kohor të 5 viteve të fundit, janë 10 drejtorë që kanë dhënë dorëheqjen drejtimi i Kadastrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat