Abuzimi i 26-vjeçares në Vlorë, pezullohen dy efektivë të hetimit! Bashkëpunuan me dhunuesit

Vlora

Abuzimi i 26-vjeçares në Vlorë, pezullohen dy efektivë të hetimit! Bashkëpunuan me dhunuesit

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 18:55
Foto ilustrim

Pezullohen dy efektivët e hetimit të ngjarjes së rëndë të dhunimit seksualisht dhe nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj 26-vjeçares në Vlorë.

Një hetim i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Jursdiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka konkluduar në pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit të dy punonjësve të DVP Vlorë, nën komisar Ervis Cipa dhe Ornela Hajrulla, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë.

Dy efektivët u pezulluan nga Gjykata e Vlorës pasi u konstatuan vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore si dhe për bashkëpunim të tyre me dhunuesit e 26-vjeçares.

Lajmi për pezullimin e efektivëve u konfirmua nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ritheksoi edhe njëherë se rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetit.

Rasti i dhunës seksuale dhe i nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj një vajze në Vlorë ishte një ngjarje e rëndë, për të cilën drejtësia duhet të bëjë detyrën në nivelin e pritshmërive të mbarë opinionit publik. Siç jam angazhuar prej momentit të parë pasi u njoftova për këtë ngjarje, kam kërkuar verifikimin e veprimeve të Policisë së Vlorës për këtë ngjarje tronditëse. Për këtë qëllim Agjensia e Mbikqyrjes Policore dhe Prokuroria e Jursdiksionit të Përgjithshëm Vlorë kanë hetuar veprimet e policisë së shtetit në këtë rast, duke çuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Vlorë për pezullim nga detyra dhe ndalim dalje jashtë vendit të dy punonjësve të Drejtorisë së Policisë. Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit. Prandaj e kam thënë dhe do ta them çdo ditë se rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetit që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”- shkruan Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat