Kuka: Pres dhe besoj që do të fitojmë medalje në Kampionatin Botëror - Bota Sot
Kuka: Pres dhe besoj që do të fitojmë medalje në Kampionatin Botëror

Xhudo

Kuka: Pres dhe besoj që do të fitojmë medalje në Kampionatin Botëror

Nga: Kemajl Goca Më: 23 gusht 2019 Në ora: 16:31
Driton dhe Agron Kuka

Kombëtarja e Kosovës në xhudo është vendosur në Japoni dhe me një optimizëm i presin garat e Kampionatit Botëror, që nisin me 25 gusht dhe përfundojnë me 1 shtator. Kosova përfaqësohet me pesë garues, në krye me kampionen olimpike Majlinda Kelmendi (-52 kg), kampionen evropiane Nora Gjakova (-57 kg), Distria Krasniqi (-48 kg), Akil Gjakova (-73 kg) e Loriana Kuka (-78 kg).  

Image

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, tha se po ambientohen mirë në Japoni dhe ekipi është i përgatitur mirë. “Ekipi është përgatitur mirë. Gara është jashtëzakonisht e fortë. Pres dhe besoj që do të fitojmë medalje”, tha Driton Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha se do të jetë gara më e fortë e organizuar ndonjëherë në historinë xhudos. Ai si president i federatës do të ketë edhe takime të ndryshme me homologët e tij, po ashtu është takuar edhe me kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer. “Nga e diela këtu në Tokio fillon Kampionati Botëror në xhudo! Do të jetë kampionati më i fortë i organizuar në historinë e xhudos me 149 shtete pjesëmarrëse dhe 860 garues!

Po ashtu dje dhe sot janë zhvilluar kongreset përkatëse të Federatës ndërkombëtare dhe evropiane në të cilat pata rastin të takohem me kryetarin e IJF-së, zotin Marius Vizer dhe diskutuam për ecurinë e sportit të xhudos në përgjithësi dhe xhudon kosovare në veçanti.

Presidenti Vizer do ta vizitoj vendin tonë në një të ardhme të afërt”, tha Agroni. Më tutje tregon edhe për atmosferën që mbretëron në kombëtaren tonë: “Sa i përket atmosferë në ekip nuk mund të them shumë deri nesër se ekipi gjendet në një qytet tjetër në përgatitjet përfundimtare para kampionatit”. Kosova nuk ka pasur kurrë më shumë garues në Kampionatin Botëror, a është edhe një sinjal i radhës se shteti ynë po lartësohet gjithnjë e më shumë përmes xhudos?

“Është e vërtetë se këtë kampionat do marrim pjesë me numrin më të madh të garuesve ndonjëherë dhe e gjithë kjo vjen si rezultat i punës që është duke ndodhë në federatën e xhudos kosovare me synim që emri i shtetit tonë të afirmohet dhe lartësohet sa më shumë”, përgjigjet Kuka.

Xhudistet e kombëtares tonë po stërviten maksimalisht që të janë të gatshëm për betejat që i presin në ngjarjen me të madhe sportive botërore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...