Qendra e xhudos në Pejë, në zemrën e kampioneve olimpike

Xhudo

Qendra e xhudos në Pejë, në zemrën e kampioneve olimpike

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 15:13
Qendra e xhudos në Pejë, në zemrën e kampioneve olimpike

Në prani të përsonaliteteve të larta shtetërore dhe sportive, është përuruar sot Qendra Nacionale e Xhudos, investim ky i Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport dhe Federatës së Xhudos së Kosovës.

Qendra është ndërtuar në Lagjen “Asllan Qeshme” të Pejës, ndërsa do të shërbejë për përgatitje të xhudistëve tanë në rrugën drejt sukseseve të mëtutjeshme.

Të pranishëm nga Komiteti Olimpik i Kosovës ishin edhe presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti.

Image

Enkas për këtë ceremoni kishte ardhur edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili nderoi me statuetën më prestigjioze të FNXH-së, tri kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, si dhe trajnerin Driton Kuka e kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Me emrin dhe mbiemrin e tij u emërtua edhe rruga që dërgon tek Qendra.

Ndërtimin e kësaj qendre e kanë përshëndetur edhe kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i FXHK-së, Agron Kuka dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, të cilët kanë vlerësuar lartë të arriturat e xhudos.

Presidentja Osmani nderoi me medalje “Nderi i Republikës” Distrian dhe Norën, ndërsa Distrias edhe medalja “Presidenciale e Meritave”, të cilën më herët e kishte pranuar Nora dhe Majlinda.

Kryeministri Kurti theksoi se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, do të shpallë Majlinda Kelmendin “Qytetare me merita të veçanta”.

Distria dhe Nora kishin fituar medalje të arta olimpike në LO Tokio 2020, ndërsa Majlinda në LO Rio 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat