Zvicra dhe simboli i saj

Zvicra

Zvicra dhe simboli i saj

Alfred Papuçiu Nga Alfred Papuçiu Më 24 gusht 2019 Në ora: 16:05
Shatrivani Gjenevë

Festa për Shqipërinë organizohej atë mbrëmje tek çerdhja “Dhëmbi  i qumështit ”. Gjithë mjedisi ishte mbushur me pamje nga Shqipëria, fëmijë shqiptarë të qeshur,  duke luajtur dhe duke vallëzuar. Mbi të gjitha mjedisi i çerdhes ishte mbushur edhe me flamurë shqiptarë dhe të Zvicrës. Nga një manjetofon dëgjohej muzikë shqiptare. Ishin përgatitur edhe gatime shqiptare që u pëlqyen shumë. Casti më emocionues ishte kur Shqipja dhe grupi i saj nga Kosova dhanë një shfaqje me muzikë dhe valle shqiptare. Për një kohë e gjithë çerdhja u duk se ishte në Shqipëri, pasi të gjithë këndonin dhe kërceni muzikë shqiptare, bile edhe duke shqiptuar në shqip. Çerdhja „Dhëmbi i qumështit“ organizonte ditën që i kushtohej miqësisë midis fëmijëve shqiptarë dhe zviceranë. Jo më kot Profesoresha Fransine Koch  ka shkruar të gjitha kujtimet e saj në librin dygjuhësh „Fëmija shqiptar me sy të zinj“ që unë e kam përkthyer me gjithë dëshirë dhe botuar nga « Toena ». Më kujtohet që çerdhja ishte e zbukuruar me lule, por edhe me flamuj shqiptarë dhe zviceranë. Një simbol i madh dhe i bukur miqësie…Dhe megjithatë diçka jo e pëlqyeshme kishte ndodhur disa vite më parë, si rezultat i mendjes së ngushtë të ndonjë burokrati pa vizion.

Më lejoni tua tregoj me par radhë. Po udhëtonim si zakonisht me aeroplanin e Swiserit (i cili tanimë e ka emrin „Swiss“) nga Zyrihu për në Tiranë. Përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Peter Gadient ishte pranë meje. Si gjithmonë më kishte vënë në klasë të parë të aeroplanit, pasi kishte dëshirë të bisedonim për problemet e ecurisë së fluturimeve midis dy vendeve. Po qëndronte pak i mërzitur, gjë që ja vura në dukje, pasi zakonisht bënte shaka dhe më fliste për qëndrimet e tij të shpeshta në Shqipëri, për mikpritjen atje, për konjakun e mirë shqiptar dhe për dëshirën që të qëndronte edhe pak kohë, megjithë moshën e thyer… Mora vesh, sipas thënieve të tij, se në zyrën e Swiserit, në hotel “Dajti” e kishin ndaluar të vinte emblemën e Swis-erit, Kryqin e Kuq.               

U mërzita edhe unë, por u përpoqa ta qetësoj, duke i dhënë fjalën se do të bëja diçka me sa kisha mundësi sapo të takoja eprorin tim në Tiranë.   Turfulloja dhe mendoja se si është e mundur që të arrihet deri aty që një mendje e shkurtër të cenojë nga budallallëku i tij marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve të vegjël dhe sovranë.

Pasi shkova dhjetë minuta në shtëpi për t’u takuar me nënën dhe djalin tim, me një frymë u drejtova tek Ministria e punëve të jashtme. Atje hyra drejt e tek zyra e eprorit, natyrisht pasi i thashë sekretarit. Ministri Reis Malile më priti me përzemërsi si zakonisht, një njeri i thjeshtë dhe mbi të gjitha me zemër të madhe dhe me karakter. Gjithashtu më vinte ndërmend kur më thërriti, pasi kishte ardhur tek ai, kryetari i shoqatës së të verbërve dhe kërkonte të krijonte lidhje me shoqata të tilla në botë. M’a dha atë detyrë dhe unë me dëshirë e plotësova. Kisha shumë besim dhe respekt për të. Më dukej dhe mbetet akoma në kujtesën time si një njeri tepër i afërt i familjes, pasi në një rast tjetër, shumë të dhimbshëm dhe shqetësues për mua që ndoshta do të vijë koha ta tregoj, më ka qëndruar afër dhe më ka dhënë një kurajo të jashtëzakonshme. Dija të krijoja distancë me të, për të mos kapërcyer etapat, kur ishim në biseda edhe me të tjerë, por kur ishim vetëm, nuk nguroja t’i flisja hapur dhe çiltër. Shpesh më jepte këshilla shumë të vlefshme që më kanë mbetur edhe sot e kësaj dite në kujtesë. Mbi të gjitha ishte njeri fisnik. Kur mblidheshim darkave në Nju Jork midis shokësh dhe pinim ndonjë gotë, ai shpesh bashkohej me ne, jo për të pirë, pasi nuk para pinte, por i pëlqente biseda me ne. Më kujtohet se njëherë kur shkuam në Nju Jork e ftoi xhaxhai i vetë në shtëpi për vizitë. Ai ishte vendosur me dhjetëra vite më parë, nga shqiptarët e viteve tridhjetë që kishin shkuar në Amerikë.  Pasi e pritën mirë dhe u bisedua përzemërsisht, xhaxhai i Reizit nxori një  magnetofon të vogël dhe ju drejtua atij:“ Merre këtë si kujtim për vajzat“.  Reizi u skuq dhe ai tha: “Jo nuk mund ta pranoj, ja ne ishim këtu dhe u kënaqëm, por ajo është e tepërt”. Xhaxhai ngulmoi se ajo ishte për vajzat, një shenjë e vogël që ato megjithëse nuk e kishin parë, të kujtoheshin për të. Reizi nuk pranoi. Nuk e di se si ndodhi dhe një nga shokët në Nju Jork ja kish marrë xhaxhait të Reizit magnetofonin dhe e kishte sjellë me vete. Ai „hëngri një dush të mirë“ pse e kishte marrë pa lejen e tij, dhuratën me vete. E kapërcyem atë gjendje duke i thënë shokut Reiz se nuk kishte qenë gjë e madhe dhe mbi të gjitha se ishte njeri me karakter dhe nuk do të prishej puna pse xhaxhai i tij i kishte dhënë diçka simbolike…

Le të kthehemi tek çështja jonë. Kishim bërë disa udhëtime bashkë në Nju Jork për në Kombet e Bashkuara dhe mbi të gjitha më pëlqente se e vlerësonte punën e njerëzve dhe bënte gjithçka që t’i ndihmonte në ecurinë e tyre. Kishim qëndruar shpesh herë bashkë për të biseduar për problemet e OKB-së dhe lidhjeve të saj me Shqipërinë, si dhe problemet e Kosovës.

Pa e zgjatur, ju drejtova ministrit Reiz, në zyrën e tij:

„Jam pak i shqetësuar, pasi dikush nga funksionarët e ministrisë së transporteve e ka ndaluar përfaqësuesin e Swiserit të vendosë emblemën e tij në hyrjen e kësaj shoqërie“. I përsërita faktet që Swiseri ishte shoqëria e vetme ndërkombëtare që kishte qëndruar gjithmonë e hapur, si dhe shumë fakte të tjera bindëse që flisnin se edhe ne duhej të bënim një hap, pasi nuk përbënte ndonjë cënim të sovranitetit tonë.

Vazhdova duke i thënë se të dy kishim qenë të pranishëm disa vite më parë, gjatë një udhëtimi në Nju Jork, në bisedë me përfaqësuesit e Swiserit në Zyrih, për të vendosur sipas dëshirës së tyre, hapjen e linjës së Swiserit me vendin tonë. Dhe se ai vetë e kishte pritur këtë propozim me dëshirë të zjarrtë dhe kishim ngritur dolli për përfundimin e saj sa më parë. I përsërita se sa kishte ngulmuar vetë Gadienti, kur ishte diskutuar çështja e mbylljes së linjës së Swiserit me Shqipërinë, pasi shoqëritë e tjera ishin larguar nga Rinasi, dhe unë, si përfaqësues në Gjenevë e në Zvicër, pasi nuk kishte akoma ambasadë në Bernë, si dhe ai vetë në Tiranë, kishim bindur Swiserin të vazhdonte, duke e parë me syrin e të ardhmes...Sa herë, në periudha të vështira për Shqipërinë, përfaqësues të Swiserit, midis tyre miqtë e mijë të paharruar, Ruth dhe Walter Borner, respektivisht gazetare dhe funksionar i lartë i Swiserit nga Dorfi pranë Zyrihut kishin sjellë ndihma falas, duke shfrytëzuar fluturimin e shoqërisë së tij në vendin tonë!. Walteri disa herë më kishte dhënë bileta për udhëtimin Gjenevë Zyrih në mërë që të më ekonomizonte kohën e çmuar kur duhej të prisja në Zyrih personalitete të larta nga Shqipëria. Ndërsa Gadienti nuk linte rast që në çdo udhëtim të Swiserit për në Shqipëri të shpinte pajisje për shkollën e jetimëve apo institucione te tjera. Ndërkaq të gjithë funksionarët në aeroportin e Zyrihut apo Gjenevës jepnin gjithmonë dritën e gjelbër për të pritur sa më mirë shqiptarët që kalonin qoftë edhe tranzit atje.

Ministri kapi receptorin e telefonit dhe formoi një numër. Nga ana tjetër dëgjova se ishte funksionari më i lartë i ministrisë së transporteve.

Reiz Malile ju drejtua atij:      

“ Shoku ministër, të lutem, shihe me prioritet çështjen që ka ngritur përfaqësuesi i Swiserit në Shqipëri. Është minimale ajo që kërkon. Unë mendoj se duhet realizuar qysh sot. Nuk cenohet asgjë, sikur ai të vendosë simbolin e vet tek hyrja e zyrës së tij. Përkundrazi gjithkush do shohë se Zvicra është e pranishme tek ne. Mbi të gjitha ata janë treguar gjithmonë dashamirës dhe na kanë ndihmuar me gjithçka ”.

Nga ana tjetër e receptorit u shpreh shënja e pohimit dhe kështu përfaqësuesi i Swiserit mundi të vendosë emblemën mbi zyrën e tij. Gjatë udhëtimit të kthimit për në Zvicër e festuam ngjarjen e gëzuar me Gadientin fisnik, duke pirë pak shampanjë dhe “ Kirsh ” që është një pije shumë e mirë zvicerane, njësoj si rakija jonë, vetëm nga aroma ndryshon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat