Një punëtor, a mund të humb të drejtën në pagesë për arsye të karantinimit?

Zvicra

Një punëtor, a mund të humb të drejtën në pagesë për arsye të karantinimit?

Lirim Begzati  Nga Lirim Begzati Më 26 korrik 2020 Në ora: 18:54
Foto ilustrim

Në fillim të muajit korrik, Qeveria zvicerane përpiloi listën e shteteve të konsideruara me rrezik më të lartë infektimi. Vendet tona ballkanike nuk u anashkaluan aspak që të integrohen në listën e tillë, qoftë e kuptueshme kjo. 

Mirëpo, rikujtojmë se kjo nuk duhet të interpretohet assesi si një ndalesë për shkuarje në vendlindje, apo në pushime jashtë Zvicre. Gjendemi përballë rekomandimeve dhe sugjerimeve, pa ndonjë peshë të madhe juridike. 

Një pyetje e rëndësishme shtrohet rregullisht lidhur me të drejtën tonë në rrogë, pas kthimit në Zvicër, pas kalimit nëpërmjet karantinës? 

Sot, pa asnjë mëdyshje, juridikisht vlerësohet se personat të cilët shkojnë në vendet që figurojnë në listën e “shteteve të rrezikuara”, i kanosen humbjes së realizimit të drejtës së tyre në pagesë për periudhën dhjetëditore që duhet ta kalojnë në karantinë, pas kthimit në Zvicër.

Sipas një interpretimi, mungesa në punë në këto raste nuk mund të konsiderohet si një mungesë "e pafajshme" e punëtorit. Ndryshe me thënë, kjo mungesë nuk gëzon fatkeqësisht një mbrojtjen juridike për me siguruar të ardhurat për këto situata. Nga ana tjetër, edhe punëdhënësi është i mbrojtur, në atë kuptim që, nuk është i detyruar me paguar. 

Por, le të mos kuptohet kjo analizë si një rregull e përgjithshme që do t'iu imponohej të gjithë punëdhënësve. Nuk është pra, logjikisht, një rregull shtrënguese. Me fjalë të tjera, çdo ndërmarrje dhe/apo çdo punëdhënës është i lirë në veprimet e tij. 

Kjo nënkupton edhe atë se me siguri do të kemi shumë raste të atyre që do t'a marrin rrogën e tyre, me gjithë faktin se kanë munguar në punë, pasi që kanë kaluar përmes karantinës. 

Frika që të mos humbet vendi i punës, nëse mungesa në punë zgjatet sadopak, i shtohet gjithashtu listës së pyetjeve të shtruara. 

Sot për sot, praktika gjyqësore zvicerane nuk është shprehur qartë mbi ndonjë çështje juridike të ngjashme, të kësaj natyre. Edhe për këtë çështje, çdo frikë e tepruar është e parasysh në këto kohëra ! 

Fundja, pasi që gjendemi në kohë pushimesh, le ti jepet përparësi edhe kësaj të drejte të pacenueshme të një punëtori, siç është e drejta për pushime, për me e zgjedhur vendin ku ai dëshiron me i kaluar pushimet e tija. 

Se fundja, një "ndalesë" hipotetike dhe eventuale për mos shkuarje në vendin e origjinës, me siguri se nuk do të kishte një çmim më të lartë se sa "dhjetëditëshi" që do të mungonte në një rrogë. Fatëmirësisht, nuk gjendemi sot përballë një ndalese të tillë. 

Përtej aspekteve juridike, u kuptua, një herë e përgjithmon, se kujdesi ndaj pandemisë imponohet gjithkund, si në vendet tona të origjinës ashtu edhe në vendin ku jetojmë.

Kujdes pra për gjithësecilin dhe pushime të këndshme !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat