Mustafa reagon pas kërkesës së BE-së për Trepçën: Absurde dhe e papranueshme

Aktuale

Mustafa reagon pas kërkesës së BE-së për Trepçën: Absurde dhe e papranueshme

Nga: G.B Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 15:49
Isa Mustafa

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj kërkesës së BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë, ku ka thënë se Kosova në asnjë fazë nuk ka biseduar për pasuritë natyrore me Serbinë, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se duhet të jemi bashkë dhe të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror.

Postimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë
Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës. 
Në mandatin, kur unë isha Kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit.
Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë! IM.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat