AAK kundërshton idenë e LDK-së për qeveri gjithpërfshirëse, ka një kërkesë për të!

Aktuale

AAK kundërshton idenë e LDK-së për qeveri gjithpërfshirëse, ka një kërkesë për të!

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 18:45
AAK

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, ka kundërshtuar kërkesën e LDK-së për ndërtimin e një qeverie gjithpërfshirëse, e cila ka vendosur këtë si kusht për tu bërë pjesë e procesit dialogues me Serbinë, në fazën përfundimtare.

Kadaj Bujupi, ka thënë se partia që e drejton ish-kryeministri Isa Mustafa, mund të bëhet pjesë e grupit dialogues në Bruksel, duke kapërcyer pozicionet partiake “si parti institucionaliste”.

“Kërkesa e LDK-së disi e kuptimëson atë postulatin se detyrë e pozitës është puna ndërsa e opozitës fjala. Nuk ka kuptim që një subjekt politik të kushtëzojë pjesëmarrjen në dialog me rrëzimin e qeverisë sepse kjo nuk përbën kurrfarë alternative politike. Po ashtu, nuk mund të kërkohet qeveria teknike kur kjo qeveri është mjaft e sukseshme dhe përpara ka çështje tjera me rëndësi si kushtet e punëtorëve në sektorin privat dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Kjo duket thjesht pjesë e një diskursi të përditshëm hiç serioz e aspak politikë. Fundja, dialogu Kosovë-Serbi është duke u futur në fazën përfundimtare dhe LDK-ja si parti institucionaliste duhet të kapërcejë pozicionet partiake dhe të bëhet pjesë e grupit dialogues të Brukselit”, ka thënë ajo.

Deputetja Kadaj-Bujupi, duke kundërshtuar zërat kritikë ndaj qeverisë aktuale është shprehur se vendimet e marrura nga kjo qeveri janë në dobi të vendit.

“Mendoj se po bëhet shumë zhurmë për dialogun ndërkohë punët e mira po kryhen pa pikë zhurme. Sot u rriten pensionet, ato baziket për 20 për qind ndërsa kontributdhënëset për 15 për qind. Vitin e kaluar, Kosova u bë me ushtri. Më herët është miratuar ligji për pagat në sektorin publik, ligji për Prishtinën si dhe është definuar statuti i “Trepçës”. Shumë shpejtë do të nis punët edhe autostrada 91 kilometërshe e Dukagjinit. Përkundër gjithë këtyre vendimeve e shumë tjerave që përbëjnë punë të mëdha por në heshtje, e kemi në fuqi edhe taksën prej 100% ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, ka shtuar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat