Babai i viktimës në aksidentin në Rrugën B: Shteti ma vrau për së dyti vajzën

Aktuale

Babai i viktimës në aksidentin në Rrugën B: Shteti ma vrau për së dyti vajzën

Më: 4 mars 2019 Në ora: 20:08
Pamje nga vendi i ngjarjes

Afrim Abdullahi, me zhgënjim e ka pritur vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila e dënoi me 3 vjet e gjysmë burgim shoferin L.M.

Nga aksidenti që ai e shkaktoi, Afrimit i vdiq vajza 30-vjeçare.

20- vjeçari L.M i kishte goditur me veturën e tij dy këmbësore në Rrugën B, vitin e kaluar, raporton KTV.

Abdullahi thotë se për vepra shumë më të lehta, njerëzit janë dënuar me më shumë se 4 vjet burgim, ndërsa, sipas tij, vrasësi i së bijës, ka shpëtuar me vetëm 3 vjet e gjysmë burgim, dhe atë i mbrojtur në liri.

Abdullahi shton se shteti me këtë vendim, ia vrau vajzën për të dytën herë.

Ai tregon se nuk ishte i informuar se të hënën do të kishte seancë dhe vetëm gjysmë ore para se të fillonte ajo, e kishin njoftuar për të.

Vendimi thotë se u mor shumë shpejt, e madje pa praninë e tij në sallë.

Ndaj vendimit të Themelores në Prishtinë, familja Abdullahi ka paralajmëruar se do të organizojë edhe protestë.

Në lidhje me vendimin, KTV-ja ka pyetur Gjykatën Themelore, por zyrtarë të saj kanë kërkuar vetëm referim në komunikatën për media.

Aty sqarohen vetëm rrethanat e aksidentit dhe se i dënuari do të mbrohet në liri deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Lindita Abdullahi, 30-vjeçare, dhe Florjeta Rugova, u aksidentuan në tetor të 2018-s, derisa po kalonin rrugën në vendin e këmbësorëve.

Ato u goditën nga vetura e L.M, e cila po lëvizte me shpejtësi të lartë.

Lindita Abdullahi, nënë e një djali 21 muajsh, vdiq në QKUK rreth 5 orë pas aksidentit, ndërsa Florjeta Rugova, pas disa ditëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat