Ja pse Haradinaj e largoi nga zyra Sylejman Selimin - Bota Sot
Ja pse Haradinaj e largoi nga zyra Sylejman Selimin

Aktuale

Ja pse Haradinaj e largoi nga zyra Sylejman Selimin

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 17:50
Pamje nga takimi Kosnett me krerët e vendit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka liruar nga pozita e këshilltarit politik, Sylejman Selimin.

Lajmin për shkarkimin e tij e ka bërë të ditur kryeministri Haradinaj dhe sipas tij, Selimi kishte bërë kërkesë për tu liruar nga kjo detyrë.

“Kam liruar nga detyra e këshilltarit politik Sylejman Selimin, me kërkesën e tij. Zotin Selimi e falenderova për kontributin e deritashëm në Zyrën time politike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Media ka tentuar të marrë një përgjigjie nga Selimi lidhur me shkarkimin e tij, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Si duket vendimi i Ramush Haradinaj për të shkarkuar Selimin nga kjo pozitë, vie si shkak i reagimeve të shumta nga përfaqësuesit ndërkombëtar, të cilët vazhdimisht kishin kërkuar, që mos të emërohen në pozita drejtues, individë të cilët ishin të akuzuar për korrupsion, në afera të ndryshme, por edhe për krime lufte.

Në atë kohë, emërimin e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimit, i dënuar për krime lufte në Kosovë si këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, nga përfaqësuesit ndërkombëtar dhe ata të shoqërisë civile, u konsiderua si akt politik i papranushëm.

Atë kohë, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i Ambasadorit Amerikan, Philip Kosnett, i cili përmes një postimi në Twitter, kishte bërë thirrje liderëve të të gjitha partive të ndalojnë mbështetjen e individëve të tillë. “Një mbështetje e tillë e vë në dyshim angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit”, ka shkruar ambasadori Kosnett.

“Kriminelët e dënuar të luftës nuk kanë vend në Qeverinë e Kosovës. Udhëheqësit e të gjitha partive duhet të ndalojnë mbështetjen e individëve të tillë. Një mbështetje e tillë e vë në dyshim angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit. Jam i kënaqur të shohë grupe nga komunitete të ndryshme duke folur në një zë të përbashkët”, kishte shkruar Kosnett.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj pati deklaruar pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës se “Sylejman Selimi nuk i detyrohet drejtësisë me asgjë”. Sipas Haradinajt, Selimi “është shumë i respektuar nga të gjithë dhe nuk është dikush që ikën nga drejtësia”.

Sylejman Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 duke u dënuar më 6 vjet burg.

Ndërsa, më 7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”.

Selimi u lirua me kusht më 25 janar pasi kreu më shumë se pesë vjet nga dënimi i tij me shtatë vjet burg për krime kundër civilëve serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ai do të jetë nën mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri më 30.10.2020.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat