Gorani i PSD-së: Taksa kundër Serbisë e ka bllokuar edhe liberalizimin e vizave - Bota Sot
Gorani i PSD-së: Taksa kundër Serbisë e ka bllokuar edhe liberalizimin e vizave

Aktuale

Gorani i PSD-së: Taksa kundër Serbisë e ka bllokuar edhe liberalizimin e vizave

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 13:05
Pamje nga takimi

Në panelin e organizuar nga Kolegji Riinvest me temën: “Efekti i taksës 100 përqind në ekonominë e Kosovës”, u tha se përveç rënies së importit të mallrave nga Serbia, nuk ka qenë në favor të ekonomisë së Kosovës, ndonëse ka ndikuar edhe në ngritjen e çmimeve.

Berat Thaçi nga Instituti GAP, theksoi se në bazë të indikatorëve dhe në bazë të qarkullimit të treguar nga bizneset në ATK-në taksa nuk e ka ndihmuar ekonominë në përshpejtim të rritjes së prodhimit.

 “Pavarësisht kësaj, kemi thellim të deficitit tregtar. Taksa ka ndikuar në rritjen e çmimeve në konsum të ushqimit. Kjo rrezikon thellimin e varfërisë. Me hyrjen e taksës në fuqi, prodhuesit kanë rritur çmimet. Ne nuk mund të mendojmë se taksa është tregut efektiv në ekonominë prodhuese”, tha Thaçi.

 Mirëpo, këto të dhëna i ka kundërshtuar ministri i Tregtisë Endrit Shala, sepse sipas tij, të dhënat zyrtare tregojnë që ka pasur rritje të prodhimit dhe nuk ka pasur ngritje të çmimeve, përveç atyre që janë ndikuar në bursën ndërkombëtare.

Ministri Shala tha se vendimi ndaj Serbisë nuk është taksë, por është një masë e bazuar në marrëveshjen e CEFTA-s.

“Arsyet e vendosjes së kësaj mase janë ekonomike dhe politike. Përfitimet e Kosovës veçanërisht të prodhueseve janë të mëdha. Serbia është vendi i parë në rajon që vendos barriera ndaj Kosovës që nga paslufta. Ne nuk kemi vërejtur ngritje të çmimeve. Kjo masë e ka ndihmuar dhe po e ndihmon rritjen e prodhimit vendor”, tha ministri Shala.

 Ai shtoi se ky vendim ka ndikuar edhe në rritjen e punësimit dhe për rritjen e cilësisë së mallrave.

Ndërsa, deputetja nga radhët e AAK, Donika Kadaj ka mbrojtur vendimin ndaj mallrave të Serbisë, ngaqë sipas saj ka pasur impakt pozitiv në aspektin ekonomik dhe politik.

Deputeti nga radhët e PSD-së Dukagjin Gorani tha se taksa ka qenë një kundër reagim politik për faktin se importi më i madh është nga Serbia. Ai reagim është shkaktuar edhe për shkak të situatës së komplikuar politike.

Ndërsa sipas tij, në aspektin ndërkombëtar taksa shihet si pengesë për dialogun Kosovë-Serbi.

Gorani shtoi se taksa ka bllokuar procesin politik, çfarë është edhe liberalizimi i vizave.

 “Unë e shoh taksën si një instrument, për një interes ekonomik ose politik, por nuk e shoh si një akt të shenjtë”, tha Gorani, duke shtuar se ky vendim ndaj Serbisë që është instrument, duket edhe populizëm.

Gorani tha se përveç dëmeve ekonomike, është një rrezik që mund t’i shkaktoi edhe çështjes politike në Kosovë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...