Maloku pas ftesës nga Specialja: Edhe nëse akuzohem, kurrë s’do t’i shfrytëzojë paratë e shtetit për mbrojtje - Bota Sot
Maloku pas ftesës nga Specialja: Edhe nëse akuzohem, kurrë s’do t’i shfrytëzojë paratë e shtetit për mbrojtje

Aktuale

Maloku pas ftesës nga Specialja: Edhe nëse akuzohem, kurrë s’do t’i shfrytëzojë paratë e shtetit për mbrojtje

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 18:07
Naim Maloku

Naim Maloku është deklaruar pas ftesës për intervistim në cilësinë e dëshmitarit nga Gjykata Speciale.

Në Info Magazine, Maloku ka thënë se ai aktualisht është në trajtim mjekësor dhe e ka të pamundur që të udhëtojë në Hagë për t’u intervistuar nga kjo Gjykatë.

“Unë jam në trajtim që nga shtatori i vitit të kaluar. Para dy javëve kam dalë nga operacioni dhe tani jam në trajtim pas-operacionit. Nga Gjykata Speciale jam kontaktuar paradite me numrin e Kosovës, me Ipko, m’u ka paraqit një person në gjuhën sllovene, më pyeti a e kupton gjuhën sllovene. Ai më tha që jam i ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit dhe ia tregova gjendjen shëndetësore që në dy muajt e ardhshëm e kam të pamundur të lëviz deri në Hagë apo disa metra nga banesa…Ata e pranuan këtë si fakt dhe unë ua dhashë emrat e mjekëve që më kanë operuar në Kirurgjinë Abdominale dhe në Onkologji, ata më kanë në trajtim. Me 22 të këtij muaji duhet të kthehem në Institutin e Onkologjisë pas operacionit. Ua dhashë dhe datat e kontrolleve me incizimeve. Ua dhashë numrat e telefonit të mjekëve dhe u thash që t’i pyesin mjekët lidhur me gjendjen time”, ka thënë Maloku.

Ai ka thanë se kjo është herë e parë që ai është kontaktuar nga kjo Gjykatë.

“Nuk më befasoi asgjë. Nuk kam çka të fsheh, as para opinionit as para Gjykatës. Unë përballem me një sëmundje të rëndë dhe jam duke u trajtuar këtu në Slloveni. Unë nuk di për çfarë rasti jam i ftuar dhe ku dhe me çka lidhet emri im. Nuk kam kërkuar sqarime sepse ishte hera e parë që u kontaktova. Nëse duan të komunikojnë me mua, ata mund të vinë në Lublanë. Në tetor kam sërish operacion, u tregova atyre”, shtoi ai.

Tutje, ai përmendi dy raste kur është ftuar nga tribunalet ndërkombëtare për intervistim.

“Unë kam qenë në Hagë në rastin e Ramush Haradinajt. Jam intervistuar dy ditë. Atë kasetë ia kam dhënë mbrojtjes së Haradinajt, e më nuk më kanë ftuar. Jam lutur nga mbrojtja e Haradinajt që nëse ka nevojë për dëshmitarë, a është i gatshëm të dëshmojë. Unë kam thënë që po. Kam qenë i ftuar edhe për rastin “Kleqka” për Limajn. Por kurrë më s’më kanë ftuar as me dëshmu as kurrgjë. Këto dy kontakte i kam pasur me tribunave ndërkombëtare. Te dyja kanë qenë publike. Edhe Ramushi edhe Fatmiri kanë qenë të njoftuar lidhur me dëshmitë e mia. Është hera e tretë që po ftohem. Nuk mundem me spekulu, nuk kam ide se me çka është e lidhur ftesa. Nuk e di në çfarë rasti më kanë ftuar. Unë do të jem i hapur për opinionin. Gjykatën e ka votuar Kuvendi i Kosovës. Deputetët që i ka zgjedh populli. Ata kanë vendosur në emër të shtetit”, ka thënë Maloku tutje.

Ai tha se edhe nëse akuzohet nga kjo Gjykatë, nuk do të kërkojë ndihmë nga shteti i Kosovës.

“Nuk do të kërkojë ndihmë nga shteti i Kosovës. Unë mbrohem vetë. Nuk kam ardh në luftë me shfrytëzua Kosovën e me plaçkit. Po kam ardh me ndihmu Kosovën. Nuk do t’i harxhojë paratë e shtetit për mbrojtje edhe nëse akuzohem nga kjo Gjykatë. Nuk kam arritur të sigurojë të ardhura për djemtë e mijë në Kosovë, andaj tani jetoj jashtë shtetit”, vazhdoi tutje Maloku.

“Kjo Gjykatë sa më parë që të fillojnë proceset është më mirë të kryhet kjo punë me UÇK’në. Unë i besoj drejtësisë ndërkombëtare. Duhet me i besu edhe drejtësisë vendore. Uroj që ata të jenë të pavarur, e jo të kapur. T’i mbikëqyrin pushtetet në Kosovë. Ato duhet të mbrojnë popullin e Kosovës nga vetë pushteti, andaj Gjykata është e pavarur. Më në fund do të vërtetohet ajo që gjithë ne e dimë, të del e vërteta për UÇK’në. Ajo ka qenë luftë për çlirimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. S’kemi pasur rrugë tjetër përveç rezistencës së armatosur. Kemi luftuar në vendin tonë, nuk kemi shkuar në asnjë vend tjetër me ua djegë shtëpitë. Ne kemi luftuar me heq pushtetin e ushtrinë serbe nga Kosova. Tani bëhet fjalë për dy shtete, të pavarura. Perspektiva e vetme për dy shtetet janë integrimet euro-atlanike. Sa më parë të arrihet një pajtueshmëri, aq më mirë është për dy popujt. Uroj që Gjykata sa më parë të mbyll këtë storie, mos të na mbajë në stres. Mjaft e kemi pasur okupimin. E vërteta ka me qenë një dhe e pandryshme. UÇK ka qenë ushtri çlirimtare dhe përjetë do të mbetet e tillë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...