KCSF fton shoqërinë civile të jenë pjesë e thirrjes së dytë të programit që financohet nga Norvegjia - Bota Sot
KCSF fton shoqërinë civile të jenë pjesë e thirrjes së dytë të programit që financohet nga Norvegjia

Aktuale

KCSF fton shoqërinë civile të jenë pjesë e thirrjes së dytë të programit që financohet nga Norvegjia

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 13:57
Foto nga organizimi

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ka organizuar sot sesion informues për organizatat joqeveritare për thirrjen e dytë në “Programin e Shoqërisë Civile për Shqipëri dhe Kosovë”, thirrje kjo e cila është hapur më 26 gusht dhe afati i fundit për aplikim është 30 shtator 2019.

Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha tha se qytetarët e kanë humbur besimin në institucionet udhëheqëse, ndërsa për 10 vjet më shumë se gjysma e qytetarëve po i besojnë shoqërisë civile.

Sipas tij projektet e thirrjes së parë të këtij programi janë duke u zbatuar në disa fusha si lajmet e rreme, edukimi jo formal, mbrojtja e mjedisit etj.

Hoxha ka kërkuar nga të gjithë organizatat joqeveritare që çdo cent që marrin për financim ta shfrytëzojnë me seriozitet.

Hoxha: Çdo cent për përkrahje ta trajtojmë me seriozitet

“Është një mundësi shumë e mirë  për ne si sektor që në këtë kohë krize të besimit ta shfrytëzojmë rolin tonë për t’i përfaqësuar qytetarët, për t’u bërë zë i tyre, për t’i sjellë brengat e tyre në sipërfaqe. Ne në KCSF dhe kushdo nga ne e marrim këtë me përgjegjësi të madhe... Çdo cent për përkrahje që e pranojmë ta trajtojmë me seriozitet, pasi është e vetmja mënyrë për të treguar se po i besojmë asaj që e shkruajmë që e flasim”, tha ai.

Përfaqësuesi nga Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë, Maguus Azevedo Stiro  tha se Norvegjia shoqërinë civile e konsideron si kyçe në një shoqëri demokratike.

Duke e konsideruar shoqërinë civile si një kujdestar që e bënë një qeveri llogaridhënëse, Azevedo Stiro shprehu gatishmërinë e shtetit norvegjez për të asistuar Kosovën në procesin zgjedhor të 6 tetorit.

Azevedo-Stiro: Norvegjia ka vënë në dispozicionet fondet për organizatat e Kosovës

“Roli i palës së tretë që organizatat e shoqërisë civile që përfaqësojnë shpesh quhen si kujdestarë janë me rëndësi për të shtyrë progresin dhe për të mbajtur qeverinë llogaridhënëse, prandaj Norvegjia mbështet organizatat e shoqërisë civile dhe ka vënë në dispozicion fonde për organizatat e Kosovës gjithandej vendit. Kosova është duke u përballur me kohëra të rëndësishme, njerëzit do të vendosin për fatin e tyre në zgjedhje. Kjo është një prej mundësive më të rëndësishme për të adresuar sfidat me të cilat përballet Kosova. Norvegjia dëshiron të asistojë në këtë proces”, tha përfaqësuesi i Ambasadës norvegjeze.

Ndërsa, menaxherja e programit që financohet nga Norvegjia, Teuta Purrini Xhabali tha programi synon forcimin e shoqërisë civile, me qëllim që Kosova dhe Shqipëria të jenë sa më shpejt anëtare të Bashkimit Evropian.

Teksa ka treguar kriteret dhe mënyrën e aplikimit, Purrini-Xhabali u shpreh se për thirrjen e dytë janë ndarë nga shteti i Norvegjisë mbi 340 mijë euro për projektet e shoqërisë civile në Kosovë.

Xhabali: Përmes shoqërisë civile ta shtyjmë përpara procesin drejt integrimit evropian

“Programi synon që përmes një shoqërie civile demokratike aktive dhe të fuqishme të shtyjë përpara procesin e integrimit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian... Mosdiskriminimi dhe barazisë gjinore, mediat e pavarura, pakicat dhe grupet e margjinalizuara, mbrojtja e mjedisit dhe lufta kundër korrupsionit realisht janë pesë temat e programit në përgjithësi, por edhe të thirrjes së dytë që kemi lansuar në kuadër të këtij projekti”, tha ajo.

Ndryshe, thirrja e dytë për aplikim të shoqërisë civile për programin e shoqërisë civile për Shqipëri dhe Kosovë financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, ndërsa implementues është KCSF.

Projekti i përgjithshëm “Programi i Shoqërisë Civile për Shqipëri dhe Kosovë” ka filluar në shtator të vitit 2018 dhe pritet të përfundojë në gusht 2021. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...