Veseli premton mbështetje financiare për prodhuesit vendor

Aktuale

Veseli premton mbështetje financiare për prodhuesit vendor

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 15:47
Foto nga takimi

Në vazhdën e vizitave të tij në Suharekë, kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka vizituar sot edhe kompaninë e këpucëve “Solid” ku ka premtuar se nëse fiton zgjedhjet më 6 tetor, gjithë mbështetjen financiare dhe institucionale do ta orientojë në ndihmën ndaj prodhuesve vendor.

Pasi panë nga afër punën që bëhet aty, Veseli tha se Suhareka eksporton brende të njohura.

I inspiruar nga ky fakt, ai tha se do të luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin, të cilat po i ndalojnë ndërmarrësit për të zhvilluar veprimtaritë e tyre.

Veseli u shpreh se këpucët e “Solid-it” do të jenë këpucët e fitores më 6 tetor.

Veseli: Gjithë fuqinë institucionale dhe financiare do ta orientoj nga ndërmarrësia

 “Gjithë fuqinë institucionale dhe financiare që e ka Republika e Kosovës kam me e orientu nga njerëzit ndërmarrës, nga djemtë e vajzat e reja të Kosovës, në mënyrë që t’i japim një perspektivë të re jetës sonë në Kosovë, e ajo është prodhimi dhe zhvillimi ekonomik dhe ndalja e deformimeve të brendshme siç është korrupsioni dhe nepotizmi, të cilat po i ndalojnë ndërmarrësit si Ahmeti, dhe djemtë e vajzat e reja që të kenë shanse të barabarta, të jenë më inovativ dhe më kreativ, krijimin e të mirave materiale... Këto këpucë, mbajeni mend, më 6 tetor, dhashtë Zoti jemi shëndosh e rehat, dhashtë Zoti i ruan qytetarët tanë, do të jenë këpucët e fitores”, tha ai.

Ahmet Kuçi pronar i kompanisë “Solid” tha se pret që qeveria e ardhshme e Republikës të Kosovës  të krijojë kushte më të mira për prodhuesit.

E këtë, ai u shpreh i bindur se do të bëjë kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli.

Kuçi: Urojmë që qeveria e ardhshme të investojë në prodhim

“Uroj që qeveria e ardhshme, pasi që i ka kryer autostradat, dëshirojmë që ato lek të shfrytëzohen për bizneset, sidomos për prodhim, sepse prodhimi importon pare. Siç e patë, të gjitha ato prodhime ishin për eksport... Kam besim se një gjë të tillë do ta realizoni ju (z.Veseli)mandatin e ardhshëm”, tha ai.

Ahmeti në fund pati një mesazh për qytetarët, duke i porositur ata që të konsumojnë sa më shumë prodhime vendore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat