Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” me 6 mijë studentë të rinj

Aktuale

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” me 6 mijë studentë të rinj

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 12:37
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” me 6 mijë studentë të rinj

​Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar “Ditën e Orientimit të Studentëve të Rinj”. Qëllimi i këtij aktiviteti është të mirëpresin studentët e rinj dhe t’i orientojnë ata nëpër fakultetet përkatëse.

Me këtë rast rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, u shpreh se Universiteti i Prishtinës është lider në trojet shqipfolëse.

Duke folur për rëndësinë që ka fillimi i studimeve Dema tregoi se këtë vit, Universiteti i Prishtinës mirëpret 6 mijë studentë të rinj.

Demaj: Këtë vit 6 mijë studentë të rinj

“Kjo ditë përveçse na vesh me petkun e lumturisë, na vesh edhe me petkun e përgjegjësisë. Sot UP-së i bashkohen rreth 6000 student të rinj, unë jam shumë i lumtur që të gjithë ju ia dolët me sukses rrugëtimin tuaj deri tek universiteti më prestigjioz dhe më i vjetër në vendin tonë”, deklaroi Dema.

Ndër tjera Dema foli edhe për simbolikën që ka 1 tetori si datë, pasi që kjo datë shënon edhe 22 vjetorin e fillimit të demonstratave nga ana e studentëve.

Ai theksoi se pikërisht ishin studentët e Universitetit të Prishtinës të cilët u vunë në kërkim të demokracisë dhe ngritën zërin e dijes.

Demaj: 22 vite më parë studentët tanë ngritën zërin e dijes

“ Ponë këtë ditë 22 vite më parë studentët tanë ngritën zërin e fuqisë së dijes, duke dalë që ky zë të jetë vendimtar për fatin e shtetit tonë. Sot janë bërë 22 vite që nga dita kur studentët e përkrahur nga profesorët morën mbi supe përgjegjësinë e organizimit të ndryshimit pozitiv në Kosovë”, theksoi Dema.

Ndërsa si folës motivues për studentët e rinj, Universiteti i Prishtinës kishte zgjedhur aktorin e mirënjohur, Fatmir Spahiu, i cili tregoi copëza nga rrëfimi i tij për ditën e parë të studimeve.

Aktiviteti përfundoi me një program artistik i organizuar nga studentët aktual. Kujtojmë se ky është viti i dytë që Universiteti i Prishtinës ka organizuar “Ditën e Orientimit të Studentëve të Rinj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat