Ilir Meta: Kosova ishte e para që ndihmoi Shqipërinë pas tërmetit

Aktuale

Ilir Meta: Kosova ishte e para që ndihmoi Shqipërinë pas tërmetit

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 13:02
Ilir Meta

Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës ”Adem Jashari” në Prishtinë u rreshtuan sot njësitet ushtarake dhe policore, për të pritur presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, i cili u ndau atyre dekorata në shenjë falënderimi për punën e bërë në kërkim-shpëtim pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipëri.

Presidenti i Shqipërisë tha se çdo vend i NATO-s  do të ishte i kënaqur me atë që këto njësi kanë dëshmuar javën e kaluar.

Meta falënderoi edhe njësitë nga institucionet e tjera si KEK, Zjarrfikësit e Komunës se Suharekës, Miniera e Trepçës dhe Artanës, të cilëve gjithashtu u ndau dekorata.

Menjëherë pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, ku dhjetëra persona humbën jetën e qindra mbetën të lënduar e pa shtëpitë e tyre, Kosova ndihmoi vëllezërit shqiptarë me resurse humane, teknike e financiare, në krye me Ushtrinë dhe Policinë e Kosovës. Ata asistuan në kërkim-shpëtimin e personave nën rrënoja pas shembjes së ndërtesave në Durrës e Thumanë.

Si popull i të njëjtit komb, kosovarët ishin të parët që i dolën ndihmë Shqipërisë pas kësaj fatkeqësie, përshirë edhe ndihma vullnetare të qytetarëve në Kosovë, të cilët gjithashtu ofruan edhe strehim për personat e prekur nga tërmeti.

Për të falënderuar popullin dhe institucionet e Kosovës, presidenti i Shqipërisë Ilir Meti erdhi personalisht në Prishtinë, ku ndau dekorata për njësitet e FSK-së, Policisë së Kosovës, KEK-un, Minierën e Trepçës e Artanës dhe Zjarrfikësit e Komunës së Suharekës.

Në hapësirat e Kazermës “Adem Jashari”, presidenti Meta tha se Kosova duhet të jetë krenare për FSK-në dhe policinë, të cilët demonstruan profesionalizëm të lartë e bashkëkohor.

Meta: Pas tërmetit Kosova ishte e para në Shqipëri për të ndihmuar

“Edhe ky 28 nëntor që sapo lamë pas na gjeti të përbashkuar si asnjëherë tjetër, në historinë tonë, të gjithë shqiptarët kudo që ishim e kudo që jemi, për t’u përballur me pasojat katastrofike që shkaktoi tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit në Shqipëri. Në këtë betejë të vërtetë, tashmë me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme, shumë vende mike dhe partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë sa më shpejt që ishte e mundur. Por Kosova ishte e para që u ndodh atje menjëherë në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e katastrofës. Ekipet tuaja nuk ishin atje vetëm fizikisht e profesionalisht, por në radhë të parë njerëzisht, vëllazërisht e shqiptarisht, duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të shpëtuar shumë jetë të tjera”, tha Meta.

Presidenti Meta falënderoi të gjithë popullin e Kosovë, dhe udhëheqësit politik për solidaritetin e treguar.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se shqiptarët janë unikë si asnjëherë më parë, Kosovë e Shqipëri, veri e jug, pozitë e opozitë, që të ngrihen mbi interesat parciale e t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë frikë për të nesërmen.

Haradinaj: Pas tërmetit morëm një mesazh historik - shqiptarët nuk janë vetëm

“Me gjithë tërmetin dhe pasojat e morëm një mesazh historik, se ne shqiptarët nuk jemi më në dimrin e vetmisë së madhe, jemi rritur vetë dhe kemi shumë miq që na duan. Në ditët më të  vështira na erdhën në ndihmë fqinjët e parë, por edhe shumë miq të tjerë anë e kënd botës, dhe kjo është një dëshmi që jemi të rreshtuar në rrugën e duhur, me paqen dhe humanizmin. Prandaj nga Prishtina sot, në emër edhe të popullit të Kosovës dëshiroj t’i falënderojmë për çdo gjë që bën për ne të gjitha kombet e tjera. Duke qenë solidarë me viktimat e tërmetit që goditi disa zona përreth Durrësit, mobilizuam si kurrë më parë, shpirti i një kombi dhe të bashkuar ia dolëm të tejkalojmë situatën emergjente. Pasi i varrosëm njerëzit tanë të dashur, tani nis beteja jonë e vërtetë si një trup i vetëm për të gjallët, të pastrehët dhe gjithë ata pësuan”, tha Haradinaj.

Ndërsa komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se Kosova po e dëshmon që është e gatshëm të përkrahë fqinjët që është në interes të sigurisë regjionale.

Rama: Kosova po e dëshmon që është e gatshme të përkrah fqinjët

“Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë se që e kemi kryer detyrën dhe punën tonë, nuk kemi bërë më shumë se vëllai për vëllain që bën, por është shumë me rëndësi që Kosova po e dëshmon për çdo ditë që jemi të gatshëm që të përkrahim të gjithë fqinjët tonë që është në interes të sigurisë regjionale. Ne do të vazhdojmë punën tonë dhe puna e tragjedia e 26 nëntorit, na ka prekur të gjithëve, por jemi ndie krenarë me kontributin tonë që kemi mund të japim dhe të jemi të parët atje. Duhet të keni parasysh që në çdo kohë, në çfarëdo vështirësie do të jemi të gatshëm të ndihmojmë, dhe shpresoj dhe besoj mos të ndodhin tragjedi si kjo e fundit dhe njësitë e specializuara mos të kenë nevojë të intervenojmë”, tha Rama.

Përveç dekoratave të dhëna nga presidenti i Shqipërisë, në këtë ceremoni, Ramush Haradinaj ndau për Ilir Metën mirënjohjen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, me motivacionin “Forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat