I caktohet dita e gjykimit Haki Rugovës

Aktuale

I caktohet dita e gjykimit Haki Rugovës

Më: 8 janar 2020 Në ora: 09:35
Haki Rugova

Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar ditën e gjykimit, kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Kryetari Haki Rugova do të dalë para gjykatës në Pejë me datë 21 janar. Kështu thuhet në orarin e seancave për muajin janar që Gjykata Themelore e Pejës e ka bërë publik, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit, kryetari Rugova do të dalë para drejtësisë si i dyshuar për konflikt të interesit nga neni 424 KPRK.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit, duke i dhënë tender vëllait të tij, Gani Rugovës, në vlerë rreth 300 mijë euro.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Haki Rugova, duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat