Zyrtari i VV-së tregon se çfarë ka dashur të thotë Kurti në letrën e fundit për Mustafën

Aktuale

Zyrtari i VV-së tregon se çfarë ka dashur të thotë Kurti në letrën e fundit për Mustafën

Nga: A.M. Më: 16 janar 2020 Në ora: 18:19
Isa Mustafa, Albin Kurti

Arbër Zaimi, zyrtari i VV-së dhe këshilltari i Albin Kurtit, ka interpretuar letrën e fundit të Kurtit drejtuar kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se VV-ja i ka bërë thirrje LDK-së që nga viti 2014.

Postimi i plotë:

Si e lexoj unë letrën e Albinit:

1. Pse nuk po vini më në takime që ta përfundojmë marrëveshjen? Ajo s’bëhet vetë, pa u takuar.

2. Insistimi për heqjen e drejtuesit të Kuvendit i cili u zgjodh me votat e 75 deputetëve, 27 prej të cilëve nga LDK, është jodemokratik.

3. Vullneti i individëve vendoset mbi vullnetin e Kuvendit vetëm kur ata janë monarkë në monarki absolute, kur janë diktatorë, ose në raste lufte.

4. Albin Kurti e Isa Mustafa nuk janë diktatorë, as mbretër, as nuk ka luftë, pra është demokratike të respektojnë vendimin e deputetëve të partive të veta.

5. Kur Isa Mustafës dhe LDK-së i është ofruar mundësia për ta zgjedhur ata kryetarin e Kuvendit, kanë thënë jo. Madje edhe publikisht, kur janë pyetur nga gazetarët.

6. Para seancës konstituive të Kuvendit ata deklaruan se do të votonin pa marrëveshje kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e propozuar nga Vetëvendosja. Kjo i bie “më mirë bashkë me PDK-në në opozitë se sa bashkë me LV-në në qeveri”.

7. Ne po ju ofrojmë 6 ministri, pra 1 më shumë se LV që fitoi zgjedhjet. Po ju pranojmë dhe kërkesën për president, edhe pse nuk ishin zgjedhje për president.

8. Ofertat që kemi bërë para se të regjistroheshin listat, në 6 shtator, ju nuk i pranuat. Ato nuk vlejnë më. Ofertat e bëra para zgjedhjeve të 6 tetorit ju nuk i pranuat. Ato nuk vlejnë më. Ofertat e bëra para 26 dhjetorit ju nuk i pranuat. Ato nuk vlejnë më. Sot janë në fuqi këto oferta, mos kërkoni të shkuarat se koha nuk kthehet pas. Nuk duam që pas disa javësh të kërkoni po këto, kur të mos jenë më të vlefshme.

9. Ju keni mundësinë ta hiqni Glauk Konjufcën nga pozita e kryetarit, por jo me bashkëpunimin e LV.

10. Ka pasur dhe ka shumë njerëz të korruptuar në institucione, nuk është e pranueshme të kërkohet dorëheqja e një personi të pakorruptuar, me dije dhe integritet, si Glauk Konjufca.

Dhe për fund: marrëveshja na duhet, për ligjin, për vendin, e jo për lojëra se kujt i mbetet faji apo kush merr pozita. Prandaj po i bëjmë vazhdimisht thirrje LDK-së, prej vitit 2014.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat