Hyseni: Hera e parë që e pashë Rugovën me lot ishte kur u vra Xhemail Mustafa

Aktuale

Hyseni: Hera e parë që e pashë Rugovën me lot ishte kur u vra Xhemail Mustafa

Më: 21 janar 2020 Në ora: 23:41
Ibrahim Rugova

Skender Hyseni, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, e ka cilësuar atë si një intelektual të guximshëm.

“Nocioni i të kuptuarit të guximit si kategori në ambiente të paformësuara politike sa duhet vështirë që kuptohet. Madje, vështirë që kuptohet edhe kategoria e guximit”.

“Natyrisht që Ibrahim Rugova e kishte guximin e një intelektuali të thellë. Nuk ka intelektual të thellë që s’e ka një guxim, por Ibrahim Rugova e kishte të veçantë, sepse ishte vërtetë një intelektual i formuar gjithandej”.

“Ibrahim Rugovës mund t’i ketë munguar gjithçka tjetër, por guximi asnjëherë – për ta thënë gjënë e duhur në kohën dhe vendin e duhur”.

“Ai s’ka pasë fuqi njerëzore që të merrej me trivialitete që i dilnin në rrugë e sipër. Madje, mund të jetë interpretuar si mungesë guximi, por ishte mungesë dëshire që të merrej me to – i tejkalonte me një gjentilesë të jashtëzakonshme”.

Hyseni në Zona B ka kujtuar dy momente kur e ka parë Ibrahim Rugovën të mërzitej.

“E kam vërejtur në dy raste kur ka qenë skajshëm i mërzitur. Njëri ka qenë në Monte Karlo në konferencën e Krans Montanës ku ai ka qenë një nga folësit kryesor në atë forum”.

“Pas fjalës që e ka mbajtë, kemi shkuar në dhomë ku jemi marrë vesh që të pushojmë dhe të shihemi për sesionin tjetër. Sa kam arritur në dhomë më ka njoftuar shoqëruesi i presidentit Rugova që Xhemail Mustafa është vrarë”.

“Kam shkuar dhe i kam trokitur në dhomë. E gjeta duke e lexuar. I tregova se çfarë ka ndodhur. Është hera e parë që e kam parë Ibrahim Rugovën me lot dhe të dërmuar shpirtërisht”.

“Rasti i dytë kur e kam parë të mërzitur është vrasja e Enver Malokut. E ka përjetuar rëndë, por kjo me vrasjen e Xhemail Mustafës ishte më intensive edhe për faktin se ndodhi pas luftës dhe ishte krejtësisht e papritur”.

“Ibrahim Rugova ka pasë një higjienë shpirtërore që vështirë që mund ta ketë dikush. Ka qenë mision i pamundshëm që t’ia ndotësh atë higjienë shpirtërore. Nuk ka mbajtë inate personale, edhe kur i kanë hyrë në hak shumë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat