Detaje të padëgjuara, ja pse Gjuriq ishte sjellë në Prishtinë kur ishte arrestuar - Bota Sot
Detaje të padëgjuara, ja pse Gjuriq ishte sjellë në Prishtinë kur ishte arrestuar

Aktuale

Detaje të padëgjuara, ja pse Gjuriq ishte sjellë në Prishtinë kur ishte arrestuar

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 23:29
Arrestimi i Gjuriqit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka treguar se pse Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq ishte sjellë në Prishtinë pas arrestimit në veri të Mitrovicës.

Ai gjithashtu insiston se situata në veri tani është më e qetë.

Qalaj ka thënë se bashkëpunimi me Inspektoratin Policor është shumë i mirë.

“Nuk do të hezitojmë asnjëherë që të arrestohen personat që shkelin ligje. Ka raste kur bëjmë hetime të përbashkëta me Inspektoratin. Puna e Inspektoratit e ndihmon Policinë që të jetë më e mirë. Në Polici është krijuar një klimë që secili rast të hetohet pa ndonjë ndikim, e nëse ka shkelje të ligjit atëherë personat do të marrin dënimin e merituar. Secili qytetarë mund të lajmërojë në njësitin më të afërt të policisë. Gjithashtu mund të lajmërojnë Inspektoratin dhe inkurajojmë ta bëjnë këtë”, ka thënë ai.

Tutje ai ka folur edhe për shefin e Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiun dhe raportin e tij familjar me policin e arrestuar, Lavdim Osmanin.

“Nëna e Bashkim Spahiut dhe ajo e policit të arrestuar i kanë nënat motra, pra gjyshet e tyre janë motra. Spahiu ka qenë i përfshirë vet në hetime për familjarin, e këtë konsideroj shumë të mirë pasi kur arrijmë të hetojmë edhe familjarët konsideroj se po kryhet puna mirë. Në maj është arrestuar një numër i madh i personave policorë, e ky nuk është rasti i parë”, ka thënë Qalaj.

Ai thotë se tashmë është bërë integrimi i policëve që më parë kanë punuar në MUP-in serb. Dhe kjo është bërë pas trajnimeve që kanë bërë.

“Para se të integroheshin ata janë bërë verifikime të ndryshme dhe është bërë e mundur që ata të integrohen. Kanë qenë disa individë që janë tërhequr, por ka edhe disa prej tyre që kanë arritur të integrohen dhe kryejnë punën normalisht”, ka thënë Qalaj.

Më tutje ai ka folur edhe për intervenimet e Njësisë Speciale në veri të Mitrovicës.

“Në asnjë moment nuk duhet të fitohet përshtypja se Njësitë Speciale veprojnë ndaj popullatës në veri, por kemi veprime edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Mbi 11 për qind të Policëve janë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës, e ka prej tyre edhe në Njësinë Speciale”, ka thënë ai.

Sipas tij shumë lehtë ka mundur të vijë te ndonjë shkëmbim zjarri gjatë intervenimit në veri, për shkak të tensioneve.

“Në rrethanat çfarë kanë qenë në veri është mjaft e vështirë që të punosh. Inspektorati Policor është duke i bërë hetimet, e jo Policia e Kosovës. Mirëpo unë konsideroj se ka qenë një intervenim mjaft i suksesshëm. Pasi në ato rrethana, në atë tension ka mundur të vijë lehtë te ndonjë shkëmbim i zjarrit dhe ndokush të humbë jetën, e fatmirësisht që nuk ka pasur. Në dukje duket një brutalitet, por duhet të kuptojmë edhe rrethanat, pasi në anën tjetër ka pasur njerëz jo të zakonshëm që kanë dashur të pengojnë veprimin e Policisë, ka pasur njerëz edhe të strukturave të ndryshme, qoftë edhe jashtë Kosovës”, ka thënë Qalaj.

Ai më tutje ka sqaruar në Rubikon se pse Gjuriq është sjellë në Prishtinë pas arrestimit në veri.

“Nuk po them se kemi marrë urdhër nga Politika, por kanë qenë zhvillime shumë të shpejta. E mira do të ishte sikur ai (Gjuriq) të sillej para drejtësisë në Mitrovicë të Veriut, po të na funksionon atëherë Gjykatat dhe të merrte dënimin e merituar për hyrje ilegale në vendin tonë. Por, e dini se atje nuk ka funksionuar asgjë, dhe më pas është marrë vendimi që të sillej në pjesën jugore dhe më pas është sjellë në Prishtinë në mënyrë që ta dërgonim te Gjykata Themelore në Prishtinë. Ka qenë njëlloj konfuziteti se kush duhet të merret me këtë rast. Në ndërtesën e Policisë është e vendosur Drejtoria e Policisë Kufitare, dhe e dimë se me raste të tilla merret ajo, pastaj aty është ajo e Krimeve të Rënda e pasi kishte të bënte me një politikan të profilit të lartë, atëherë duhej të mos bënim shkelje. E në atë ndërtesë poashtu e kemi Zyrën e bashkëpunimit ndërkombëtar Pra, deri në momentin e fundit ka qenë e paqartë se kush do të merret me këtë rast. Kjo ka qenë më tepër çështje burokratike”, ka thënë Qalaj.

Sipas Qalajt tani situata në veri është e qetë dhe mund të intervenojnë pa asnjë problem.

“E kam mërzi të ndajë veriun, jugun, perëndimin, lindjen. Ne operojmë çdo kund pa asnjë problem. Në veri situata ka qenë pak më ndryshe më herët, shumë më ndryshe në vitin 2013-14, mirëpo është duke u normalizuar mirëpo mund të them se në atë pjesë të vendit tonë viktima kryesore janë popullata e thjeshtë meqenëse ata janë nën presionin e vazhdueshëm të strukturave të ndryshme që vijnë edhe nga jashtë shtetit dhe kanë shumë probleme me strukturat e krimit në veri. Dhe tani dihet se ata persona janë jashtë vendit. Situata nuk është si në jug, por tani është shumë më mirë. Janë duke u bërë hetime të vazhdueshme”, ka thënë Qalaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat