​Konferenca e Unitetit, Haradinaj thotë se taksa nuk i prish raportet me Amerikën

Aktuale

​Konferenca e Unitetit, Haradinaj thotë se taksa nuk i prish raportet me Amerikën

Më: 12 mars 2020 Në ora: 17:14
Foto nga takimi

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Albin Kurti e Vjosa Osmani kanë gabuar që kanë ofruar heqjen e taksës.

Sipas tij, ofertimi i hershëm për heqje të taksës e ka nxjerr Kosovën para një akti të kryer dhe pa fuqinë në ndikim të marrëveshjes.

Këtë e ka thënë pas takimit me përfaqësues të partive politike të cilën e ka quajtur Konferenca e Unitetit për Kosovën.

Nga takimi i përfaqësuesve politik nuk ka dalë asgjë konkrete, e Haradinaj ka theksuar se partitë kanë qëndrime të ndryshme për taksën.

Kreu i AAK-së tha se nga tryeza u vlerësua që është me rëndësi të përkrahet energjia që vjen nga Shtëpia e Bardhë për marrëveshje Kosovë-Serbi, dhe të ketë transparenca sa i përket përmbajtjes së marrëveshjes.

Haradinaj: Ofertimi i Kurtit për heqje të taksës ka qenë gabim

“Mendoj që ka qenë gabim ofertimi i kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentares Osmani për heqje ose reciprocitet që e kanë njoftuar, mendoj që është dashur të negociohet koha së bashku me udhëheqësit e dialogut që të heqin në kohën e njëjtë me kontratën, në këtë mënyrë do të ketë edhe një ndikim më të madh si qeveri dhe si Parlament, në këtë rast me kualitetin ose me përmbajtjen e marrëveshjes. Ofertimi i hershëm për heqje të taksës e ka nxjerrë Kosovën para një akti të kryer dhe pafuqinë e mëtejmë të ndikimit në kualitet të marrëveshjes. Këtë duhet ta sanojmë, pasi që i është bërë një dëm mundësisë për të kontrolluar përmbajtjen e marrëveshjes finale”, tha Haradinaj.

Ai tha se AAK vlerëson që duhet ecur përpara me Amerikën, po që theksoi se taksa duhet të mbetet deri në njohje.

Sipas ish-kryeministrit, taksa nuk i dëmton marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por kjo ndodh për shkak të mos unitetit në Kosovë.

Haradinaj: Mos uniteti dëmton marrëdhëniet me Amerikën, jo taksa

“Mos uniteti i dëmton shumë. Edhe kur kemi pas qëndrime të vështira, por kur kemi qenë unikë, Amerika na ka respektuar. Rasti i ushtrisë, rasti i Trepçës e të tjera, për fat të keq çështjen e taksës nuk e ka përcjellë një unitet dhe vetvetiu kemi dobësim të pozicionit të Kosovës sot, për shkak të një mos uniteti ndër-institucional të brendshëm”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha se pushteti më shumë e ka në fokus betejën politike për të mundur opozitën. Ai porositi pushtetin që të fokusohen në atë që ai e quajti betejë nacionale për Kosovën.

Veseli: Nuk jemi armiq me pushtetin, të fokusohemi në betejën nacionale për Kosovën

“Kushtetuta është shumë e qartë dhe ligjet në Republikën e Kosovës, mbi përfaqësimin e Kosovës, ne nuk mundemi si opozitë t’i japim askujt mandate as ta këshillomë, as presidentin Trump se kë e fton në takim, në cilin format. Qeveria, presidenti, Kuvendi i Kosovës i kanë përgjegjësitë e ndara dhe duhet të marrin përgjegjësi. Kam një mesazh për pushtetin, ne nuk jemi armiq, zgjedhjet kanë përfunduar, është mirë të fokusohemi në betejën nacionale që Kosova të dalë shumë më mirë, për t’u forcuar raportet me Bashkimin Evropian dhe SHBA. Kryesore është që t’iu krijohen siguri gjeneratave të reja që Kosova nuk do t’i ketë problemet që i kemi pasur ne si gjenerata”, tha Veseli.

Për kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në Kosovë po ndodh një përplasje institucionale, duke theksuar këtu mospajtimet në mes të presidentit të vendit dhe kryeministrit e kryetares së Kuvendit.

Limaj: Në Kosovë ka garë institucionale që do të dëmtojë vendin

“Ne si Nismë nuk duam të marrim pjesë në një përplasje të tillë. D ikur jemi munduar të eliminojmë përplasjen midis presidentit dhe kryeministrit. Kjo po vazhdon tash në formate të reja dhe nuk i shërben vendit, pasi është në kundërshtim me interesat e Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë me interesin e vendit dhe nuk iu përgjigjet situatës në vend. Sot vendi ynë është me rreziqe me prishje të marrëdhënieve me BE, SHBA-në, me zbehjen e pozicioneve tona negociuese, me të vetmen arsye e një gare të pakuptimtë për protagonizëm, e cila do ta dëmtojë Kosovën dhe ftesa ime ishte që askush mos të bëhet pjesë e kësaj gare”, tha ai.

Në këtë takim munguan vetëm përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Listës Serbe.

Ramush Haradinaj tha se Isa Mustafa e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të disa angazhimeve, por që janë marrë vesh të zhvillojnë një takim bilateral ditëve të ardhshme.

Haradinaj tha se do të angazhojnë ekspert që do të përgatisin konkluzione për taki met e radhës.

Në këtë takim të thirrur nga Haradinaj, Lëvizja Vetëvendosje u përfaqësua nga Liburn Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat