Konfirmohet heqja e taksës, ja kur do të hiqet tërësisht

Aktuale

Konfirmohet heqja e taksës, ja kur do të hiqet tërësisht

Më: 20 mars 2020 Në ora: 19:39
Qeveria e Kosoves

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës sot ka hequr tarifën 100 për qind për lëndën e parë ndaj mallrave serbe.

Po ashtu, në mbledhjen elektronike është vendosur që deri më 1 prill 2020 të hiqet tërësisht taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria Haradinaj dhe të vendoset masa e reciprocitetit.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskryeministri Haki Abazi.

“Sot është hequr tarifa për lëndën e parë në vendimin e Qeverisë dhe deri më 1 prill do të hiqet tërësisht dhe do të merret vendim për të vendosur masat e reciprocitetit”, ka thënë ai.

Ministrave u është përcjellë në email rendi i ditës dhe propozim vendimet. Deri në momentin e mbylljes  janë pranuar 10 vota pro.

Pa votat e LDK-së dhe me abstenimin e Listës serbe, Qeveria miraton heqjen e taksës

Është miratuar heqja e taksës me shumicë votash sot në mbledhjen e Qeverisë, pa votat e LDK-së dhe me abstenimin e Listës Serbe.

Kjo do të thotë se taksa do të hiqet për lëndën e parë, derisa nga 1 prilli pritet të hiqet tërësisht.

Mbledhja është mbajt në distancë, bazuar në rregullore.

Mësohet se ministrave u është përcjellë në email rendi i ditës dhe propozim vendimet.

Ata kanë pasur të votojnë për secilin, përfshirë edhe për heqjen e taksës për lëndën e parë. Sipas rregullores, nëse brenda katër orësh ministri nuk kthen përgjigje atëherë konsiderohet votë për.

Propozim vendimet iu kanë shkuar ministrave para orës 15:00, kështu që tashmë kanë kaluar katër orë dhe votimi është mbyllur.

Anëtarët e kabinetit qeveritar nga radhët e Vetëvendosjes kanë votuar të gjithë për, e po ashtu edhe Emilia Rexhepi, nga komunitetet shumicë jo serbe.

Dy ministrat serbë kanë abstenuar, kurse anëtarët nga LDK-ja nuk kanë kthyer përgjigje. Sipas një burimi në ZKM, për ministrat e LDK-së do të shënohet që nuk kanë marrë pjesë në votim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat