U tha se bëri thirrje për vëllavrasje, Agim Bahtiri zbulon të vërtetën dhe ka një thirrje për presidentin

Aktuale

U tha se bëri thirrje për vëllavrasje, Agim Bahtiri zbulon të vërtetën dhe ka një thirrje për presidentin

Nga: A.Zh Më: 30 mars 2020 Në ora: 14:47
Agim Bahtiri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, ka thënë se nuk ka bërë thirrje për vëllavrasje. Ai ka deklaruar se deklarata e tij është nxjerr nga konteksti, nga ata që sipas tij, kanë shtyer përpara agjendën e shkaktimit të krizës qeveritare dhe institucionale, përcjell Bota sot.

Bahtiri ka kërkuar falje nëse dikush e ka kuptuar deklaratën e tij si thirrje për vëllavrasje e revoltë.

Ai ka kërkuar nga presidenti t'i shpallë zgjedhjet, pasi ka theksuar se kjo është rruga më e mirë për dalje nga kjo situatë pas votimit të mocionit.

Postimi i Bahtirit në Facebook:

Të nderuar qytetarë,

Me vjen keq që një deklarim i imi sot është nxjerrë nga konteksti, pikërisht nga ata që kanë shtyer përpara agjendën e shkaktimit të krizës qeveritare dhe institucionale në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit COVID-19.

Prej se jam në politikë gjithmonë kam bërë ftesa për qetësi të qytetarëve dhe për zgjidhje të problemeve politike me dialog. Prapë vazhdoj me një kërkesë të tillë dhe kushdo që i jep kahje tjetër deklarimeve të mia, le ta mbanë përgjegjësinë vet.

Sot, unë vetëm kam shprehur brengën dhe mendimin se humbësit e zgjedhjeve të 6 tetorit me veprimet e tyre po duan që vendin ta drejtojnë në revoltë, për të cilën të gjithë ne jemi kundër. Nëse dikush e ka kuptuar deklarimin tim si thirrje për vëllavrasje, unë i kërkoj falje.

Megjithatë, i kërkoj presidentit t'i shpallë zgjedhjet, sepse është rruga më e mirë për dalje nga kjo situatë pas votimit të mocionit.

AB

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat