​Tollovi para Ria-s në veri të Mitrovicës, policia spektator

Aktuale

​Tollovi para Ria-s në veri të Mitrovicës, policia spektator

Më: 30 prill 2020 Në ora: 15:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Shumë familjarë nga komunat veriore të vendit të cilët marrin asistencë sociale nga buxheti i Kosovës, janë parë sot nga orët e hershme të mëngjesit para Kompanisë ‘Ria’ në veri të Mitrovicës, duke krijuar tollovi, por edhe rrezikshmëri për shëndetin e tyre.

Ata përveç se nuk mbanin distancën sociale, disa prej tyre nuk kishin as maska mbrojtëse dhe doreza, ndërsa pjesëtarët e policisë që ndodheshin rreth 20 metra larg tyre, për më shumë se katër orë ishin vetëm spektatorë.

Policia ka ndërhyrë vetëm pasi kishte vërejtur ekipin e medias në vendngjarje.

Fevzi Beqiri, banor nga ‘Lagja e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, bëri të ditur për KosovaPress se banorët e këtushëm po ndihen të rrezikuar nga tollovitë e tilla me qytetarë, ndërsa tha se përkundër që kanë informuar policinë, nuk është ndërmarrë asgjë.

Ai ka shprehur dyshimet se pika e shpërndarjes së mjeteve të asistencës për banorët e komunave veriore është vendosur qëllimisht në këtë lagje, për të bartur virusin tek banorët e këtushëm.

Beqiri: Kjo po bëhet me tendencë për t’u infektuar lagjja jonë me COVID-19

“Kemi paralajmëruar policinë në veri, ata nuk kanë ndërmarr asgjë. Dyshimet janë te ne banorët se kjo po bëhet me tendencë që të preket lagjja jonë nga virusi, e cila deri sot është e paprekur…Ishte dashur të respektohet distanca qysh është në bazë të rekomandimeve të Republikës së Kosovës, e jo kështu si në xhungëll, ne jemi të rrezikuar”, ka thënë Beqiri.

Nevenka Tomaziniq, qytetare nga veriu i Mitrovicës, tha se është duke pritur për asistencë nga ora 7:00 e mëngjesit. Sipas saj, qytetarët duhet të respektojnë distancën dhe masat tjera, por edhe policia duhet të reagojë.

Tomaziniq: Policia duhet të reagojë

“Jam duke pritur nga ora 7:00 për ndihmë sociale.. Populli nuk dëshiron të qëndrojë në radhë. Duhet të respektohet distanca dhe masat tjera…Po, policia duhet të reagojë”, tha ajo.

Edhe Rrustem Azemi nga Ceraja e Leposaviqit, theksoi se dy herë e ka thirrur policinë, por nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete.

Azemi: Policia nuk morën asnjë masë, veç thanë krijoni radhë dhe ikën

“Dy herë e thirra policinë, ishte policia e Zveçanit dhe nuk morën asnjë masë, veç thanë bëni rend dhe ikën. Prapë për herë të dytë i thirra tash, të shohim çka po bëhet…Këtu për social po presim, banorët e veriut këtu i marrin të gjithë. Jam këtu që katër orë”, tha Azemi.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, por pa sukses, pasi që ai ndodhet në pushim.

Në anën tjetër, epidemiologu nga Enti shëndetësor në veri të Mitrovicës, Aleksandar Antonijeviq, ka sqaruar se situata rreth pandemisë po shkon në drejtimin e përmirësimit, por e gjithë kjo mund të përkeqësohet nëse qytetarët relaksohen para kohës ndaj situatës dhe nuk respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Antonijeviq: Qytetarët të mos krijojnë tollovi

“I kisha lutur edhe njëherë qytetarët të mos bëjnë tollovi, që edhe nëse dalin në dyqane ose për çfarëdo arsye , për rregullimin e dokumentacionit apo ngjashëm, që medoemos të bartin pajisjet personale mbrojtëse, t’i përmbahen distancës sociale… Është e vërtetë situata është e mirë dhe po shkon në drejtimin e duhur, por gjithë këtë mund ta prishim me relaksimin ndaj kësaj situate dhe mos respektimin e masave të rekomanduara”, u shpreh për KosovaPress Antonijeviq. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat